Hekurudha Elbasan – Prrenjas! Ja si u ndërtua një nga hekurudhat më të famshme

0
293

Inaugurimi faza e pare elbasan librazhd nentor 1971

Në kuadrin e ndërtimit të hekurudhave në vendin tonë duke filluar mbas çlirimit, ajo Elbasan -Prrenjas (1969-1974), ishte e dallueshme nga të tjerat, të ndërtuara tek ne. Ajo është hekurudhë tepër malore me shumë vepra arti dhe kryesisht ura dhe tunele.

Vazhdimi i ndërtimit të hekurudhave u shoqërua me studimin e projektimit të urave. Në këtë hekurudhë vazhdoi tipizimi dhe zgjidhjet e sistemeve të tjera. Kështu u zbatuan viadukte me hapësira drite 23 m, monolite b/arme me një tra. U bënë mbikalime rrugore me soletone monolite dhe të parapërgatitura po ashtu edhe me trarë të parapërgatitur (si në Mirakë). U ndërtuan edhe ura me mbistrukturë të vazhduar me konsola “gerber” me hapësirë 30 m (Bushtricë, Murrash).

hekurudha-elbasan-prenjas-aspekte-pune-ne-uren-e-murashit-1-dt-8-6-1969

Hekurudha Elbasan Prenjas  aspekte pune ne uren e Murashit 1    dt 8  6  1969

Në këtë hekurudhë u ndërtuan shumë ura të larta (viadukte) si ajo e Bushtricës me lartësi 50 m, e Pishkashit 32 m, dy ura në Qukës me 30 m dhe 25 m lartësi, ura e Rapunit të gjitha me një tra.

Ura e Bushtricës është viadukti më i madh i kësaj hekurudhe.

Urat janë harmonizuar me ambientin rrethues për nga lartësia dhe hapësira, prandaj kanë edhe pamje të mirë arkitektonike.

Në ndërtimin e mbështetëseve, ndërmjetëse prej betoni të armuar të viadukteve u përdor për të parën herë në viaduktin e Pishkashit, kallëp rrëshqitës. Për këtë u përdor një pajisje e cila punon me ndihmën e krikove, duke lëvizur kallëpin shkallë-shkallë në vertikalitet. Mbërthimi i krikos bëhet në armaturën punuese duke dhënë në këtë mënyrë rendimente më të mëdha nga metodat e tjera, si edhe kursim të ndjeshëm materiali për kallëpet.

Ndërtimi i urave të mëdha, por edhe ato më të vogla u bë me mekanizim dhe organizim punimesh, të dallueshëm nga ato të ndërtuara në hekurudhat paraardhëse. Janë përdorur mekanizmat më të përshtatshme për montim dhe ngritje vertikale të materialeve të ndërtimit. Në viaduktin më të madh  (në Bushtricë) u bë organizim i veçantë për veçoritë e saj. Nyja e betonit u ndërtua në anë të urës. Për transportin e betonit horizontalisht dhe në lartësi u përdor një vinç i posaçëm me lartësi 50 m, aq sa është ura me lëvizje horizontale për të çuar betonin me saktësi në destinacion.

Intensifikimi i ndërtimit të rrjetit hekurudhor mbas vitit 1967 kërkoi një vëmendje të veçantë në studimin dhe projektimin e veprave të artit të mëdha apo të vogla. Përsosmëria arriti në hekurudhën Elbasan-Prrenjas. U studiuan në total dheu përdor tipizimi në grupe urash, viadukte, mbikalime. Në pozicione të veçanta u bënë ura të veçanta në përshtatshmëri me terrenin dhe me skemë të veçantë statike. Veprat ishin prej betoni të armuar të tipeve të parafabrikuara dhe monolite. Meritë e veçantë e zgjidhjeve të tipeve të përshtatura sipas terrenit është e grupit të projektimit.

ura-e-bushtrices-grafike-e-kohes

Ura e bushtrices Grafike e Kohes.

 

pensionistet-ne-hekurudhe-1973-m2p_snapshot_00-17_2013-06-04_12-11-43  pensionistet-ne-hekurudhe-1973-m2p_snapshot_00-21_2013-06-04_12-11-47

Foto nga Ura e Bushtrices viti 1973

  1. Tunelet

 

Në hekurudhën Elbasan -Përrenjas, që kalon në një terren të vështirë malor u ndërtuan 15 tunele me gjatësi të përgjithshme rreth 4 km. Tuneli më i gjatë ishte ai i ndërtuar në Murrash me gjatësi rreth 990 m.

Në vazhdim të hekurudhës për në Guri i Kuq u ndërtua në Qafë Thanë tuneli hekurudhor më i gjatë në vend me gjatësi rreth 3020 m.

Projektimi për përcaktimin e pozicionit të vendosjes së tuneleve në kushtet e vështira të terrenit malor dhe kushteve gjeologjike, u bë mbi hartën e trasimit që mori parasysh këto kushte. Në zonën e Murrashit para qytetit të Librazhdit, ku ndodhet një zonë e dukshme rrëshqitëse dhe rrjedhje të materialeve nga skarpatet dhe që ka qenë gjithmonë problem për trafikun automobilistik, u trasuan dy tunele dhe një urë mbi lumin Shkumbin, duke devijuar totalisht zonën. Në këtë zonë u bë dhe rikonstruksioni i rrugës mbas vitit 1992, por nuk u zgjodh eliminimi i rrëshqitjeve dhe rrjedhjeve të ngurta, rrjedhimisht kjo zonë është vështirësuar për trafikun rrugor. Në këtë pjesë hekurudha me dy tunele të lidhura me urë nuk ka pasur asnjë problem.

Në ndërtimin e mjaft tuneleve në hekurudhë u hasën mjaft vështirësi, që u krijuan nga ndeshja në informacione të dobëta gjeologjike që transmetojnë veprim të theksuar të presionit malor. Në disa tunele u hasën rrjedhje uji, e theksuar në tunelin e Qafë -Thanës me 500 litër në sekondë.

Në hapjen e tuneleve u përdorën teknikat bashkëkohore më të avancuara. Gërmim me seksion të plotë, evadimi i materialit të gërmuar dhe transporti komplet të mekanizuar me teknikën më të përparuar të kohës.

Gërmimi është kryer me shpërthime eksplozive. Shpimi u organizua me makineri Promeks të firmës së dëgjuar suedeze Atlas Copco. Promeksi ishte pajisur me 4 pistoleta shpimi që komandoheshin.

Në tunelin që kalon në qytetin e Librazhdit u përdor tjetër teknikë avancimi. Në këtë rast nuk mund të përdoreshin shpërthime meqenëse sipër ishin ndërtimet e qytetit. Gërmimi u realizua me makineri ndërtimi pa shpërthime, teknologji e marrë nga Austria. Materiali i gërmuar binte në një platformë të lëvizshme që e ngarkonte me transportier në mjetet e transportit.

Veshja e tuneleve është realizuar me betone monolite. Kallëpi i betonimit metalik ishte njëcopëshe mbi shina dhe tërhiqej për çdo kampatë. Betoni dërgohej në kallëp me beton pompë.

Në këtë mënyrë teknika e ndërtimit të tuneleve në hekurudhën Elbasan -Prrenjas kaloi në teknikën më moderne që njeh bota në përdorimin e mekanizmave komplekse që u përdorën edhe sot në ndërtimin e tuneleve të rrugës së kombit dhe në tunelet e Kërrabës të rrugës Tiranë -Elbasan.

nga-30-vjetori-i-hekurudhes-elbasan-prrenjas

Nga 30 vjetori i Hekurudhes Elbasan Prrenjas