Hetimet drejt përfundimit, policët në Elbasan i “hapin rrugën” bandave për eliminimet mafioze, shefat i mbrojnë

0
301

Prokuroria e Elbasanit është në përfundim të hetimeve në lidhje me përfshirjen e tre oficerëve të policisë në luftën mes bandave në qytet duke dhënë informacion për lëvizjen e kundërshtarëve me qëllim eliminimin e tyre.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për Abcnews.al se prokuroria ka vërtetuar tashmë përfshirjen e tre oficerëve të lartë të policisë në eliminimet mafioze në Elbasan kundrejt shpërblimeve monetare që shkojnë deri në 100 milion lekë.

Janë të paktën dy vrasje, bëjnë me dije burime për abcneës.al, ku është vërtetuar se oficerët e policisë së Elbasanit i kanë dhënë informacion një grupi kriminal në qytet për lëvizjen e personave që ata kishin planifikuar t’i vrisnin.

Sipas hetimeve të prokurorisë, tre oficerët e policisë kanë marrë nga 100 milion lekë për të informuar një grup kriminal në Elbasan për lëvizjet e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj. Të dy ata u vranë brenda javës në korrik të vitit të shkuar në Elbasan. Më pas, prokuroria zbardhi ngjarjen në fjalë duke arrestuar për këtë vrasje Xhuljano Hoxhën dhe Eugen Halilin.

Nga marrja e dëshmive dhe mbledhja e fakteve, prokuroria vërtetoi se ishin tre oficerët e policisë së Elbasanit ata që informuan mbi lëvizjet e Ramazanit dhe Runajt.

Por, gjatë hetimeve për këto dy vrasje si edhe ngjarjet e tjera të rënda në qytet gjatë vitit të shkuar, prokuroria ka konstatuar edhe raste të tjera të bashkëpunimit të policëve të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit me grupet kriminale. Prokuroria ka zbuluar se një strukturë në sektorin e krimeve në këtë polici merrte pagesa të majme nga grupet kriminale para çdo ekzekutimi mafioz me qëllim “hapjen e rrugës” për kryerjen e vrasjeve.

Burime bëjnë me dije se kjo strukturë merrte pagesa para çdo ekzekutimi mafioz duke bërë më pas “një sy qorr” ndaj ngjarjeve të rënda. Krahas vërtetimit të përfshirjes së tre oficerëve të policisë në ekzekutimin e Ramazanit dhe Runajt, prokuroria është duke përmbyllur hetimet edhe në lidhje me angazhimin e një strukture më të gjerë të sektorit të krimeve për vrasje të tjera mafioze në qytet.

Abcnews.al do të ndjekë ecurinë e këtij hetimi, i cili është ndër rastet tronditëse ku faktohet bashkëpunimi i policisë së Elbasanit me grupet kriminale me qëllim kryerjen e ekzekutimeve mafioze në qytet.

Ndërkohë, deri më tani konstatohet se pavarësisht vërtetimit të bashkëpunimit të këtij grupi policësh me bandat në qytet, askush nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim të qenësishëm kundër tyre duke u mjaftuar vetëm me deklarata publike se gjoja janë transferuar, ç’ka tregon se në fakt, mpleksja e policisë së Elbasanit me krimin është në nivele më të larta. /abcnews.al