Hetimet për ekzekutimin e Gilmando Danit dhe mikut të tij, Spanja u kthen përgjigje autoriteteve shqiptare

0
2

Autoritetet spanjolle u kanë kthyer përgjigje autoriteteve shqiptare, ku rezulton se në shtetin spanjoll Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri nuk kanë precedentë penal.

Po ashtu gjatë 4 ditëve që qëndruan në Barcelonë ishin si turistë dhe autoritetet atje nuk kanë informacion dhe prova që mund të jenë ndjekur apo vëzhguar nga persona të tjerë lëvizjet e tyre.

Syri tv” raporton se  dyshimet e hetuesve janë se organizimi i atentatit ka nisur në momentin që Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri u nisën nga Rinasi drejt Barcelonës më datë 7 nëntor dhe kanë pritur vetëm kthimin e tyre. Ata kanë marrë informacion që Dani dhe Sheqeri janë nisur drejt Spanjës.

Ndërsa hetimet vijojnë, policia ka persona të dyshuar por ende jo prova jo konkrete. Po ashtu gjatë hetimeve janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje shumë persona por nuk është përftuar asnjë e dhënë që mund të çojë te autorët.

Si ndodhi atentati ndaj Gilmando Danit?

Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit. Por në orën 14:15 të 11 nëntorit, për rastësi aty pranë nuk ndodhej asnjë forcë policie, siç zakonisht stacionohen pranë aeroportit. Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë.

Në videon e publikuar të atentatit, shikohen lëvizjet e atentatorëve, që sapo informohet nga persona të tjerë se mjeti ku udhëtonin Dani dhe Sheqeri doli nga parkimi i aeroportit “Nënë Tereza”, mjeti i autorëve lëviz në anën tjetër të rrethit dhe i pret aty për disa sekonda.

Sapo makina “Benz” afrohet, tre atentatorët dalin nga makina të maskuar dhe qëllojnë me breshëri kallashnikovi. Pasi makina ku udhëtonte Dani ndalon, dy prej autorëve futen në makinë ndërsa një tjetër shkon tek mjeti “Benz” për tu siguruar që objektivi ka ndërruar jetë.

Mjeti Toyota me të cilin udhëtonin autorët rezultoi me targa greke. Targat dolën të vjedhura në Greqi para një viti ndërsa makina nuk është verifikuar ende nëse është vjedhur ose jo, pasi ajo u dogj plotësisht duke dëmtuar numrin e shasisë.

Brenda makinës u gjetën 3 kallashnikov dhe një pistoletë. Ndërkohë që ende nuk ka një pistë të qartë për ngjarjen.