Hetimi i krimit zgjedhor, Dumani: Nëse respektoni ligjin askush të mos ketë frikë

0
2

Krimi Zgjedhor” bëri bashkë në një tryezë drejtësinë, ndërkombëtarët, institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile. Paralajmërimit të një dite më parë nga kryeministrit Rama që SPAK të mos survejojë partitë në fushatë, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani zgjodhi një gjuhë të tërthortë për t’i dhënë përgjigje.

Atyre që nuk e fshehin shqetësimin e SPAK-ut në terren, Dumani u tregon që ka qenë vetë Kuvendi me anë të rezolutës që ka kërkuar ndërhyrjen e kësaj strukture për krimet zgjedhore.

Në strategjinë e përbashkët mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ka në qendër një objektiv, godita e krimit zgjedhor në kohë.

Në një moment heshtje nga SHBA, ambasada e së cilës s’u vu re me mungesën e përfaqësuesve të nivelit të lartë, në krah të kësaj Task Forcës dolën diplomatët e BE, Britanisë së Madhe dhe Holandës, duke nënvizuar njëzëri problemin më thelbësor në zgjedhje, shitblerjen e votës.

“Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje”, tha Silvio Gonzato.

“Nevojitet përpjekje reale për të rritur ndërgjegjësimin mbi fenomenin jetëgjatë të shit-blerjes së votës dhe dënimin publik të këtyre praktikave. Më pas, shtimin e masave mbrojtëse që sigurojnë fshehtësinë e votës dhe parandalojnë intimidimin e votuesve, apo votimit në grup që gjithashtu duhet adresuar. Nevojitet edhe që të gjitha partitë të bëhen aktorë të ndryshimit, jo roje të privilegjeve të vjetra apo mënyrave të dala mode të ruajtjes së elitave sociale dhe politike”, tha ambasadori britanik.

“Këtu, ne shohim një hap tjetër në rrugën e përmirësimit të zgjedhjeve edhe më shum ënga sa janë tashmë. Presim të shohim rezultatin e këtij ushtrimi si për parandalimin ashtu edhe për ndëshkimin Shqipëria është ende larg plotësimit të standardeve”, tha ambasadori holandez.

Këtë e pranon edhe garantuesi i procesit zgjedhor në Shqipëri, kryekomisioneri Ilirian Celibashi.

Përfaqësuesi i PD, nënkryetari Oerd Bylykbashi akuzon institucionet që deri më sot kanë dështuar të vendosin standardet zgjedhore. Duke ngritur pyetjen nëse Kryeministri Rama po kërkon të intimidojë Prokurorët, mori përgjigje nga Altin Dumani.

“Në këtë fazë kemi ardhur nga mosndëshkimi. Ne nuk kemi frikë nga Task-Forca, mos të tremben as organet kompetente. A duhet të ketë frikë politika dhe qeveria? Ajo e djeshme ishte urdhër për SPAK-un dhe prokurorinë?”, pyeti Oerd Bylykbashi.

“Ne kemi detyrimin të hetojmë krimin jo të ndërhyjmë në fushatë elektorale”, ia ktheu Dumani.

Nga mazhoranca mungoi Damian Gjiknuri që ndodhej në Vjenë, ndërsa Niko Peleshi kishte preferuar axhendën e takimeve elektorale në Korçë.

Takimit nuk i mungoi as sensi i humorit. Enigmë mbeti çfarë i tha drejtuesi i SPAK pa mikrofon Celibashit, teksa në publik u pa vetëm efekti i shkëmbimit të batutave mes të dyve. (A2 Televizion)