HISTORIA FLET PËR BRITANIKËT! 6 disfata dhe vetëm 1 gol i shënuar në përballjet me Anglinë

0
2

Përballja Angli-Shqipëri do të jetë e shtata mes dy kombëtareve. Historiku flet tërësisht për ‘3 luanët britanikë’, të cilat i kanë fituar të gjashta duelet e mëparshme, teksa ‘kuqezinjtë’ tanë kanë gjetur rrugën e rrjetës në vetëm 1 rast.

‘Kuqezinjtë’ do të nisin rrugëtimin drejt ëndrrës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, këtë të premte nga Anglia.

Djemtë e Silvinjos do të sfidojnë ‘3 luanët britanikë’, të drejtuar nga tekniku gjerman, Thomas Tuchel, në mitikun ‘Wembley’. Kjo përballje mes dy përfaqësueseve do të jetë e shtata mes tyre.

Edhe historia e ndeshjeve direkte mes dy kombëtareve flet tërësisht për anglezët, të cilët i kanë dominuar të gjashta takimet e mëparshme.

E fundit është ajo për kualifikueset e Botërorit të Katarit, ku po në ‘Wembley’ skuadra jonë kuqezi pësoi një disfatë të hidhur me shifrat 5-0, më 12 nëntor të 2021. Ndërkohë që sfida e parë e zhvilluar në ‘Arenën Kombëtare’ në Tiranë kishte përfunduar 0-2 për anglofonët.

Shqipëria e Anglia janë përballur edhe dy herë të tjera, kësaj radhe për llogari të kualifikueseve për Botërorin e vitit 2002.

Sfida e parë e luajtur më 28 mars 2001 në Tiranë ka përfunduar me rezultatin 1-3 për ishullorët. Në këtë takim kuqezinjtë kanë shënuar edhe golin e vetëm ndaj britanikëve, e që mban firmën e Altin Rrakllit. Ndërkaq, në aktin e kthimit të luajtur në Newcastle, Anglia triumfoi 2-0.

Gjithashtu këto dy ekipe janë përballur edhe gjatë fushatës kualifikuese për Kupën e Botës të vitit 1990. 5-0 kanë triumfuar ‘3 luanët’ në Angli, ndërsa në vendin tonë kanë korrur sukses me rezultatin 0-2.

Në total janë 19 gola të shënuar nga Anglia dhe vetëm 1 nga kombëtarja jonë.

Gjithsesi, ndeshja e së premtes do të jetë një tjetër histori mes dy përfaqësueseve dhe nuk na mbetet gjë tjetër, përveç se ti urojmë fat ‘shqiponjave kuqezi’, përballë gjigantëve të futbollit botëror.