Vendimi i parë me votim unanim, Holanda kualifikohet si e para e grupit A në fazën e 1/16 pasi mundi me rezultatin e pastër 2-0 Katarin që e mbyll edhe zyrtarisht botërorin me një bilanc të dobët. Asnjë pikë, vetëm 1 gol i shënuar dhe 6 të pësuar për ekipin e vendit organizator.
Në “Al Bayt” stadium të Dohas, Katari e mbylli aty ku e nisi, me një ndeshje të dobët ku “Portokallinjtë” nuk harxhuan shumë energji dhe gjetën dy herë rrjetën me golin e Gakpo, të tretin për të këtë botëror dhe De Jong që në pjesën e dytë vulosi suksesin e skuadrës së Louis Van Gal.
Trajneri i Holandës fërkon duart për këtë biletë që i siguron një vend komod, të parin e grupit. Ndeshje e dominuar nga “tulipanët” që do të rikthehen në fushë në datën 4 dhjetor në stadiumin “Al Thumama” për të sfiduar të dytën e grupit B dhe për të kërkuar çerekfinalen e Kupës së Botës 2022.