Humbi shansin për t’i dhënë Shqipërisë avantazhin, Rei Manajn e ngushëllojnë të gjithë pasi gaboi nga 11-metrat (Video)

0
2

Shqipëria pati mundësinë e artë të zhbllokonte shifrat në fundin e pjesës së parë kundër Serbisë.Elseid Hysaj fitoi penallti, por Rei Manaj gaboi në gjuajtjen e tij pasi u ndal nga portieri serb.

Pasi arbitri Davide Masa i dha fundin pjesës së parë të gjithë lojtarët e Kombëtares shkuan të ngushëllojnë sulmuesin lushnjar.

45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo u shfaqën me grintën e duhur, teksa pjesa e parë ishte tepër e luftuar.

Në minutën e 9 u ndërpre ndeshja për pak minuta, pasi Lukiç u godit me një gotë plastike gjatë ekzekutimit të një goditjeje këndi, por lojtari serb e bëri shumë të madhe situatën dhe u desh ndërhyrja e arbitrit, i cili pasi bisedoi dhe me kapitenin Gjimshiti, situata u qetësua dhe loja filloi normalisht.

Në minutën e 18, Gjimshiti i vendosur keq, ndali në mënyrë të parregullt Vlahoviç dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Kapiteni kuqezi do të mungojë ndeshjen e radhës, atë ndaj Letonisë.

Në minutën 35, krosim i bukur nga Hoxha, Manaj goditi me kokë, por topi shkoi jashtë kuadratit.

Në minutën e 42, Laçi u pengua, goditje dënimi për kuqezinjtë, Asllani krosoi në zonë, por topi i goditur me kokë nga Ajeti përfundoi jashtë.

Në fund të pjesës së parë, erdhi rasti më i përfolur. Hysaj fitoi me zotësi një penallti, pasi u pengua nga Samarxhiç. Brenda zonës, topin e mori Manaj, por goditja e sulmuesit kuqezi u prit nga Petroviç.