Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka thirrur kryetarët e degëve në një takim që pritet të mbahet sot në orën 17:00.
Humbja e zgjedhjeve të 6 Marsit ka kthyer kundër Bashës edhe deputetët që i dolën në mbështetje pas përçarjes me Berishën.
Në mbledhjen e kryesisë së PD-së që u mbajt mbrëmë për disa orë kanë qenë nënkryetarët që i kanë kërkuar Bashës që PD duhet të rihapë garën për kryetar.
Sot kreu i PD-së ndodhet i vetëm në zyrë vetëm me Sekretarin e Përgjithshëm, të besuarin e tij Gazmend Bardhi ndërsa asnjë nga nënkryetarët e deputetët e tjerë nuk ndodhen në seli informoi sot në mesditë gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi
Nënkryetari Gjekmarkaj dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit dhe ka kërkuar dorëheqjen e zotit Basha.
Edhe nënkryetarja tjetër Grida Duma ka dalë kundër Bashës. Nënkryetarja tjetër Jorida Tabaku nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e djeshme të kryesisë ndërkohë që nënkryetari tjetër Enkelejd Alibeaj ka qenë neutral dhe nuk ka shprehur asnjë deklaratë.