Një 41-vjeçar shqiptar që kishte hyrë ilegalisht në Itali, u arrestua dje nga policia e Benevento, pasi akuzohet jo vetëm për kundërshtim të oficerëve në aksion, por edhe si i dyshuar për vjedhje banesash, teksa iu gjetën pajisje dhe çelësa për hapjen e bravave.
Sipas mediave italiane, rreth orës 20:00, patrullat lokalizuan 2 persona të dyshimtë, që mbanin në kokë nga një kapuç, të cilët po endeshin fshehurazi mes shtëpive të një kompleksi banimi, që ndodhej në pjesën e poshtme të qytetit, jo shumë larg stadiumit “Vigorito”. Teksa po shkonin drejt një makine, ku i priste personi i tretë, të rinjtë pikasën afrimin e policëve dhe ikën me vrap nëpër rrugica, kurse shoferi morri arratinë me një shpejtësi skëterrë, duke rrezikuar edhe forcat në aksion.
Pas ndjekjes me patrulla të tjera, mjeti u bllokua drejt “Telese Terme”, në komunën e Pontes. Drejtuesi i makinës ishte pikërisht 41-vjeçari i arrestuar, teksa brenda në bord u gjetën edhe pajisjet, mes tyre edhe mallra që dyshohen si të vjedhura nëpër banesa, së bashku me disa bizhuteri floriri, thuhet në njoftimin e Kuesturës.