I akuzuar për vrasje, pritet ekstradimi i Denis Brajoviç nga Dubai

0
2

Denis Brajoviç pritet të ekstradohet këtë të mërkurë nga Emiratet e Bashkuara. Ai njihet si anëtar i grupit të Bajrave në Shkodër.

Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i një vrasjes së Gjon Boriçit, më 9 gusht 2020, në Shkodër.

Gjithsej ndaj tij rëndojnë pesë akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Ai u arrestua më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Brajoviç 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.