“I ati gjeti shapkën e të birit në rrugë dhe…”, Renis Dobra u “hoq qafe” për 10 mijë euro (DETAJE)

0
2

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, ku 23-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye dhe më pas u vra.

Deri më tani dyshohet se Dobra është mbytur me litar pas prishjes së pazareve të drogës me katër shtetasit, Petrit Çakrri, dhe 3 vëllezërit, Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj.

Së fundmi ka qenë gazetari Igli Çelmeta i cili ka thënë se 23-vjeçari u vra për 10 mijë euro, shumë që i kishte kushtuar lënda narkotike në Gjermani, të cilët mendohet se të riut ia ka kapur policia.

Gazetari tha se autorët i bënë pritë viktimës rreth 950 metra larg banesës së tij dhe se ishte babai i viktimës që ra në gjurmët e 23-vjeçarit fillimisht dhe më pas policia.

Aleksandër Bushgjokaj, Kristi alias Kristë Bushgjokaj dhe Fation Bushgjokaj, personazhe të njohur për Policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me shtetasin Petrit Çakrri alias Hoxha, kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit, të cilin pasi e mbytën me litar e hodhën bashkë me makinën e tij në liqenin e Shkopetit.

Deri më tani është bërë i mundur arrestimi i Petrit Çakrrit si dhe i njërit prej vëllezërve Bushgjokaj, Fatjon Bushgjokaj, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Teksa po vijon puna për arrestimin e dy vëllezërve të tjerë, policia bëri me dije se nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datën 8 korrik, në fshatin Zenishtë, Burrel, e morën peng 23-vjeçarin dhe më pas e vranë duke e mbytur me litar. Pastaj trupin e tij e futën në automjetin e të riut dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, me qëllim për të fshehur gjurmët.

Shkak për vrasjen e Renis Dobrës, dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Nga hetimet rezulton se 23-vjeçari punonte më herët në Gjermani për llogari të grupit kriminal të vëllezërve Bushgjokaj, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.

Renis Dobra në disa raste nuk i ka dorëzuar vëllezërve nga Tropoja shumat e parave të fituara nga shitja e kokainës duke pretenduar se disa herë droga është hedhur në rrugë, ujë apo liqen për arsye se po e ndiqte policia.

Vëllezërit Bushgjokaj kanë menduar se Dobra po i mashtronte dhe po i vidhte të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, arsye kjo që i ka bindur ata për ta vrarë.

“Fillimisht autorët e dyshuar kanë marrë automjet me qira, të cilët kanë lëvizur në qytetin e Burrelit dhe më pas në fshatin Zenishtë ku kishte banesën Dobra. Kanë parë që rruga ka qenë e prishur, pasi automjeti Golf 7 nuk mund të lëvizte me shpejtësi, kështu që një ditë më pas kanë ndërruar automjet, kanë marrë një Hyundai dhe Range Rover. Kur është ndjekur në drejtim të banesës ka qenë Hyndai i bardhë, më pas edhe Range Rover.

I kanë bërë pritë rreth 950 m larg banesës së tij. Në ato momente ka qenë duke kaluar edhe një i afërm i viktimës, që ka parë momentin kur autorët i kanë prerë rrugën. Autorët i kanë thënë kushëririt të Dobrës të largohej dhe i afërmi ka dyshuar se kanë qenë forca operacionale të policisë. Kushëriri ka lajmëruar babanë e Renisit dhe kanë shkuar në komisariatin e Burrelit nëse është arrestuar 22 vjeçari.

Aty është kuptuar se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale, një rrëmbim. Familjarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e djalit të tyre. Por ngjarja ka ndodhur rreth 30 km larg nga ku është rrëmbyer Renis Dobra. Fillimisht ka qenë babai i cili ka gjetur shapkën e djalit në rrugë. Trupi është gjetur nga familjarët rreth orës 4 të mëngjesit. Pastaj është lajmëruar policia dhe ka nisur zbardhja e ngjarjes e ndihmuar edhe nga dëshmitë e familjarëve, të cilët kanë arritur edhe ata të sigurojnë pamje të kamerave, sidomos atyre afër banesës.

Kjo ngjarje është e mirëmenduar dhe e përgatitur për ta vrarë. Sipas hetimeve, autorët në fillim kanë dashur ta hedhin 22 vjeçarin së bashku me automjetin në urën e Ulzës. Duken gjurmët teksa kanë tentuar ta hidhnin aty. Pasi kanë dështuar aty, kanë shkuar më tutje në liqenin e Shkopetit, ku kanë realizuar synimin e tyre.

Ajo që është më tragjike është fakti se autorët e kanë eliminuar Renis Dobrës për një shumë prej 10 mijë eurosh që kishte kushtuar lënda narkotike në Gjermani, të cilën mendohet se Dobrës ia ka kapur policia.”,  tha gazetari.