Gjykata e Apelit te Posaçëm ka lenë në fuqi vendimin ndaj Hekuran Markut, iah truprojën e ish-ministrit Saimir Tahiri duke e denuar përfundimisht me 13 vite.
Ish-oficeri u shpall fajtor për akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe grup kriminal. Ai do vuajë 8.8 vite burg, pasi përfitoi ulje 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit te shkurtuar.
Marku u shpall në kërkim në sajë të operacionit “Shpirti”. Hekuran Marku u arrestua në shtetin gjerman dhe u ekstradua drejt vendit tonë në prill të këtij viti. Emri i Markut doli së bashku me atë të ish-truprojës tjetër të Tahirit, Agustin Deda. Ky i fundit ndodhet në Francë.
Marku dhe Deda akuzohen si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar edhe me 4 italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona. Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 37 akti, datë 23.05.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Hekuran Marku., kundër vendimit nr. 67, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit H.M. me një dënim të vetëm prej 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
4. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Hekuran Marku i ulet një e treta e masës së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
5. Vuajtja e dënimit të të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe të kryet në një burg të sigurisë së lartë…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 67, datë 14.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
fax web