ILD ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Elbasanit Taulant Tafa pas uljes së dënimit të Arben Grorit, i cili kishte marrë dënim me burgim të përjetshëm. Pas nisjes së hetimit për procedurën e ndjekur për uljen e dënimit me 720 ditë burg për Grorin, ILD thekson se gjyqtari ka kryer në mori shkeljesh.
“Janë konstatuar veprime/mosveprime të shprehura në dhënien e vendimit për uljen e dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin A.G, në kundërshtim me nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, duke i sjellë përfitim të padrejtë në uljen e dënimit dhe rritur fiktivisht kohën e vuajtjes së dënimit; moszbatim të kërkesave të nenit 383 të K.Pr.Penale, sa i takon parashtrimit të shtrembëruar të fakteve dhe rrethanave në mënyrë të dukshme në aktet e nxjerra, si dhe mungesë arsyetimi të vendimit, veprime këto të parashikuara si shkelje disiplinore në nenin 102, pika 1, shkronja “dh” si dhe nenin 102 pika 2, shkronjat “b” dhe “c” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar“, thekson ILD.
Më tej, ILD vijon:
- Në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të nenit 63 të ligjit nr. 8328/1998, i ndryshuar.
- ILD ka analizuar vendimmarrjen 4 vjecare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstaton, se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku 7 kërkesa janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore.
- Veprimet/mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga ana e gjyqtarit kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë nga i dënuari A.G të uljes së dënimit në masën 720 ditë, si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia.
- Veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës
Pas kësaj kërkese, i përket Këshillit të Lartë Gjyqësor që të shqyrtojë çështjen duke marrë në konsideratë provat e ILD-së si edhe deklarimet e gjyqtarit Tafa. Në fund, KLGJ do të vendosë nëse do ta marrë apo jo parasysh kërkesën e ILD-së.
Vendimi
Në fillim të vitit 2020 gjyqtari Taulant Tafa vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve të Grorit të burgosur në burgun e sigurisë së lartë në Peqin për njohjen e ditëve të burgut që kishte kryer në paraburgim dhe uljen e dënimit total të tij me 720 ditë burg.Në një reagim të mëvonshëm për institucionet, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili tha se gjyqtari kishte gabuar në këtë vendim pasi të burgosurve përjetë nuk ka se si t’u ulej dënimi. Krahas kësaj sipas tij, gjyqtari ka kryer një tjetër shkelje pasi ka njohur si ditë në burg periudhën kur Grori ishte në paraburgim dhe ligji nuk lejon njohjen e ditëve të paraburgimit si ditë burgu. /abcnews.al