Ruben Saraiva me origjinë portugeze është i dyshuari kryesor si ekzekutor në atentatin ndaj biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur në 19 Prill, dhe e zbardhur dje nga ana e policisë.
Saraiva, një i apasionuar pas motorave dyshohet se ka mbërritur në vendin tonë në datën 14 Shkurt, i kontraktuar nga Edmond Haxhia, për të kryer eliminimin e Nikulajt, pas përplasjeve që ky i fundit ka pasur për motive gjakmarrje me fisin Lekstakaj.
Shtetasi portugez është larguar menjëherë pas ngjarjes nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, ndërkohë që ndaj tij tashmë ka një urdhër arrest nga ana shqiptare.
Në profilin e tij në rrjetet sociale, Saraiva poston vazhdimisht foto dhe video, duke qenë aktiv dhe në ditët e fundit, por edhe në datën e ngjarjes ku ka postuar një foto të tij me kostum nga ambienti i brendshëm i një banese.
yshohet se ai ka qëndruar në Shqipëri në banesën e familjes Haxhia, dhe në zonë ka thënë se ka ardhur në Shqipëri për të dashurën e tij të zemrës, familja hipotetike e të cilën nuk e pranon lidhjen e tyre.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme ai ka vazhduar që të ndajë në profilin e tij në Facebook foto dhe video nga makina e tij, apo në një vend buzë detit. Dyshimet e policisë janë se ai qëndron në shtetin grek, ndërkohë që të pestë bashkëpunëtorët e tij u larguan nga Shqipëria menjëherë pas vrasjes.
Ka qenë e dashura e Haxhisë ajo që ka zbuluar të gjithë dinamikën e krimit, dhe ka dëshmuar edhe takimin me shtetasin portugez, që sipas saj e ka përshëndetur në shqip. Për rreth 2 muaj ai ka qëndruar në Shqipëri, dhe së bashku me shtetas të tjerë anglez kanë mbajtur në vëzhgim Nikulajn, deri në eliminimin e tij në ambientet e restorantit të hotelit Coral.
Vetë dy përfaqësues të familjes Lekstakaj kishin mohuar më herët autorësinë në këtë atentat.