Policia e Elbasanit i ka komunikuar masën e arrestit djalit të Azem Hajdarit, që mban emrin e të atit, pasi së bashku me miq të tij, ishte duke udhëtuar me makinë, kur iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike e llojit kanabis.
Në njoftimin e policisë thuhet se Hajdari së bashku me mikun e tij Ergi Gjumsi, janë arrestuar, ndërsa u janë sekuestruar disa doza me kanabis, si dhe dy aparate celularë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit:
A.H., 23 vjeç, dhe E.Gj., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, gjatë kontrollit të mjetit tip “Audi”, me të cilin po qarkullonin shërbimet e Policisë gjetën një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar e llojit cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, dy aparate celular dhe automjeti.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Dy të rinjtë ishin duke udhëtuar me një mjet luksoz tip ‘Audi’ në qytetin e Elbasanit, ku u ndaluan për një kontroll nga policia. Dy të rinjve iu sekuestrua një sasi e vogël kanabis sativa.
Azemi i vogël njihet për jetën e tij luksoze, të cilën nuk ngurron ta reklamojë edhe në rrjetet sociale, ku shpeshherë është parë të publikojë foto në makina luksoze.