Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor avokatin Besart Logu për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, vendosi të dënojë Logun me 2 vjet burgim.
Por duke qenë se ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dënimi më pas iu ul me 1/3, duke shkuar në 1 vit e 4 muaj burg.
Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të burgimit dhe vendosi që ai të jetë në provë për një periudhë 2 vjet e 8 muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Po ashtu Logut i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë prej 9 muajsh, ndërsa të gjitha shpenzimet procedurale gjatë hetimit dhe gjykimit i ngarkohen atij.
Provat materiale që u përdorën për vendimin përfshijnë DVD dhe CD me përgjime ambientale dhe komunikime audio e video midis të pandehurit dhe agjentëve të koduar, të kryera në datat 09 dhe 13 dhjetor 2024.
Kujtojmë se Logu akuzohej se i mori një klienti një shumë prej 8 mijë euro, me qëllim për të ndërhyrë te organet e drejtësisë.


