Një profil po del në pah për 26-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Brian Thompson, CEO i United Healthcare, gjatë një të shtënash fatale javën e kaluar në New York City.
Mangione, me origjinë nga Baltimore, Maryland, u gjet me një “armë fantazmë”, një armë pothuajse e paarritshme, dhe një dokument tre-faqësh i shkruar me dorë që tregonte “motivimin dhe mendësinë”, thanë zyrtarët.
Vetëm disa orë pas arrestimit, Mangione u akuzua nga hetuesit në New York për vrasje dhe katër akuza të tjera.
Kush është Luigi Mangione?
Mangione ka lindur dhe është rritur në Maryland dhe ka lidhje me San Francisco, Kaliforni, sipas Joseph Kenny, shefi i detektivëve në New York.
Ai nuk ka pasur arrestime të mëparshme në New York dhe adresa e tij e fundit ishte në Honolulu, Hawaii, sipas policisë.
Ai ka ndjekur shkollën private të djemve në Baltimore, të quajtur Gilman School, ku është shpallur nxënësi më i mirë i klasës. Në një deklaratë, shkolla e quajti situatën “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Një ish-shok klase, Freddie Leatherbury, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Mangione vinte nga një familje e pasur, madje edhe sipas standardeve të kësaj shkolle private.
“Sinqerisht, ai i kishte të gjitha gjërat në favor të tij,” tha Leatherbury.
Mangione vjen nga një familje e njohur në zonën e Baltimore, bizneset e së cilës përfshijnë një klub golfi dhe shtëpi për kujdes të moshuarve, sipas mediave lokale.
Menjëherë pasi i dyshuari u akuzua, ligjvënësi republikan i shtetit, Nino Mangione – që besohet të jetë kushëriri i tij – lëshoi një deklaratë duke thënë se familja është “e tronditur dhe e shkatërruar”.
“Ne ofrojmë lutjet tona për familjen e Brian Thompson dhe u kërkojmë njerëzve të luten për të gjithë të përfshirët,” lexohej në deklaratë, duke u nënshkruar si “Familja Mangione”.
Mangione gjithashtu është diplomuar nga Universiteti i Pensilvanisë, ku ka marrë një diplomë bachelor dhe master në shkencat kompjuterike dhe ka themeluar një klub zhvillimi të lojërave video.
Një mik që ndoqi universitetin Ivy League në të njëjtën kohë me Mangione e përshkroi atë si një “person shumë normal” dhe “të zgjuar”.
Mangione ishte i punësuar si inxhinier i të dhënave për TrueCar, një faqe dixhitale për shitjen e makinave të reja dhe të përdorura, sipas profileve të tij në mediat sociale. Një zëdhënës i kompanisë i tha BBC-së se ai nuk ka punuar aty që nga viti 2023.
Sipas profilit të tij në LinkedIn, ai më parë kishte punuar si praktikant për programim për Firaxis, një zhvillues i lojërave video.
Si u gjet nga policia?
Mangione u arrestua në një McDonald’s pasi një klient informoi një punonjës, i cili lajmëroi autoritetet.
Në atë kohë, ai kishte një armë të zezë fantazmë – një lloj arme që mund të montohet në shtëpi duke përdorur një printer 3D – një silenciator dhe një karikator të ngarkuar me gjashtë plumba 9 mm.
Policia tha se ai kishte disa dokumente identiteti, duke përfshirë një pasaportë amerikane dhe një ID të falsifikuar të New Jersey që përdorej për të hyrë në një hostel në New York City, ku ai ishte parë përpara të shtënave.
Kur iu tha se do të arrestohej nëse kishte gënjyer për emrin e tij, ai pranoi se ishte Luigi Mangione.
I pyetur pse kishte gënjyer, ai tha: “Qartazi nuk duhej ta kisha bërë,” sipas dokumenteve të gjykatës.
Ai “u bë i heshtur dhe filloi të dridhej” kur u pyet nëse kishte qenë së fundmi në New York, sipas një ankese kriminale të paraqitur në Pennsylvania.
Policia tha se ai gjithashtu kishte tre faqe dokumente të shkruara me dorë në të cilat dukej se shprehte “qëndrim negativ ndaj korporatave amerikane”.
Dokumenti përmbante fraza si “këta parazitë e meritonin” dhe “Më vjen keq për çdo shqetësim dhe traumë, por duhej bërë,” tha një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit për New York Times.
Policia tha se, megjithëse arrestimi ishte “i qetë”, ai nuk ka qenë bashkëpunues më pas.
Çfarë tregojnë profilet e tij në rrjetet sociale?
Profilet e tij në rrjetet sociale ofrojnë disa të dhëna të mundshme për mendësinë e tij.
Një person me emrin dhe foton e tij kishte një llogari në Goodreads, një faqe për rishikimin e librave, ku ai i dha katër yje një teksti të quajtur Shoqëria Industriale dhe e Ardhmja e Saj nga Theodore Kaczynski – i njohur si manifesti i Unabomber-it.
Duke filluar nga viti 1978, Kaczynski ndërmori një fushatë bombardimi që vrau tre njerëz dhe plagosi dhjetëra të tjerë, derisa u arrestua në vitin 1996.
Në rishikimin e tij, Mangione shkroi: “Është e lehtë të shkruash shpejt dhe pa menduar për këtë si manifestin e një të çmenduri. Ai ishte një individ i dhunshëm – me të drejtë i burgosur – që gjymtoi njerëz të pafajshëm. Megjithatë, këto veprime, që zakonisht karakterizohen si të një luditi të çmendur, në fakt janë më saktë veprime të një revolucionari politik ekstrem.”
Profilet e tij në rrjetet sociale gjithashtu sugjerojnë se ai kishte humbur kontaktet me familjen dhe miqtë në muajt e fundit.
Në një postim në X nga tetori, dikush kishte etiketuar një llogari që besohet të jetë e tij dhe kishte shkruar: “Hej, je mirë? Askush nuk ka dëgjuar prej teje prej muajsh, dhe me sa duket familja jote po të kërkon.”
Top Channel