I nxehti ekstrem në Greqi, droni regjistron temperaturën 104 °C në Omonia

0
436

Vala e të nxehtit që ka pushtuar Mesdheun, ka bërë që autoritetet greke në Athinë të mbyllin sitet turistike si Akropoli etj, për të shmangur episode si ato të regjistruara të enjten dhe të premten, ku turistët humbin ndjenjat prej temperaturave ekstreme.

Termometri në kryeqytetin helen ka arritur deri në 44 gradë celsius, ndërsa ajri i nxehtë e ka bërë thuajse të pamundur lëvizjen në rrugë.

Në një eksperiment të kryer nga Up Stories në bashkëpunim me Observatorin Kombëtar të Athinës dhe mbështetjen teknologjike të Drone House, janë regjistruar temperatura të paimagjinueshme në qendër të Athinës.

Një prej tyre është e asfaltit në momentin kur një motoçikletë lëvizte të premten në sheshin Omonia.

Temperatura sipër drejtuesit të saj tregonte 104 gradë celsius, ndërsa temperatura mesatare e sipërfaqes së rrugës qëndroi mesatarisht në 60° për gati 8 orë gjatë ditës.

Përkundrazi, në vendet ku kishte pemë, shatërvanë apo pishina, u krijua një mikroklimë e cila automatikisht uli temperaturën rreth 15 gradë nën mesataren ditore.