I përmbyset varka, humbin jetën 22 turistë/ Ndër viktimat janë fëmijë dhe gra

0
98

Të paktën 22 persona kanë vdekur, pasi një varkë turistike e mbushur plot me njerëz, u përmbys në shtetin jugor Kerala të Indisë.

Numri i të vdekurve po rritet, ndërkohë po vazhdojnë përpjekjet për shpëtim. Mbipopullimi shkaktoi përmbysjen e varkës dykatëshe, tha për Reuters, Abdul Nazar, mbikëqyrësi i policisë së rrethit Malappuram.

Varka thuhet se mbante rreth 50 persona, ose dyfishi i kapacitetit të saj, kur u përmbys mbrëmjen e së dielës.

Shumë pasagjerë u bllokuan nën varkë dhe errësira pengoi përpjekjet e shpëtimit, sipas mediave lokale. Ndër viktimat janë gra dhe fëmijë.

“Të paktën katër persona që u dërguan në spital, janë në gjendje kritike”, tha ministri i Sportit dhe Peshkimit i Kerala, V Abdurahiman.

Shumë nga pasagjerët nuk kishin veshur jelek shpëtimi në momentin e incidentit, thanë të mbijetuarit për mediat lokale.

Numri i saktë i pasagjerëve të zhdukur nuk është i qartë. Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit.

 

Top Channel