Përndjekja dhe arrestimi i të shumëkërkuarit nga policia Nuredin Dumani u bë kryefjala e lajmeve mbrëmjen e 29 marsit, me policinë e cila dha një konferencë të jashtëzakonshme për mediet në orën 1 të mëngjesit sot, ku sqaroi rrethanat e arrestimit të Dumanit dhe dyshimet për implikimin e tij në atentatin ndaj BMW-së në fshatin Papër të Elbasanit.
Mbi Dumanin rëndojnë akuzat e 7 vrasjeve, të cilat nisën fill pas grabitjes së Rinasit në prill të 2019-ës. Nuredin Dumani u arrestua nga forcat speciale në Fier, pas një telefonate që mbërriti në numrin pa pagesë të Policisë së Shtetit 129, ku raportohej për një person të plagosur.
Dumani u arrestua në një apartament në qytetin e Fierit, ku u gjet i plagosur nga efektivët e policisë.
Arrestimi i Dumanit u bë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të martës, pasi e gjithë Policia e Shtetit ishte vënë në kërkim të tij, pas ngjarjes së mbasdites të së martës, ku u raportua për një shkëmbim zjarri në afërsi të fshatit Papër në Elbasan.
Dumani kishte shkuar të strehohej në Fier, pas përplasjes me armë në Papër të Elbasanit.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat bëri publike detajet e arrestimit, duke thënë që në momentin që u vu në pranga Dumani ka qenë i plagosur. Pas prangosjes Dumani është dërguar për mjekim në spitalin Rajonal të Fierit, dhe më pas drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Nuredin Dumani nuk ka qenë i vetëm në momentin që është arrestuar nga forcat speciale në ambientet e spitalit të Fierit.
Në momentin e arrestimit Dumani ka qenë në dhomën e spitalit së bashku me një person të dytë. Dyshohet se personi që shoqëronte Dumanin në dhomë të jetë i seksit femër.
Telefonata që çoi në arrestimin e Dumanit
Arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani në spitalin e Fierit u bë pas një telefonate të mbërritur në numrin 129 të Policisë së Shtetit. Ishte pikërisht kjo telefonatë që vuri në dijeni policinë e Shtetit se në spitalin e Fierit kishte mbërritur një person i plagosur.
Ndërkohë që policia prej mbasdites së të martës ishte vënë në kërkim të tij, pasi kishte ndodhur një përplasje me armë në Papër të Elbasanit.
Nuredin Dumani është një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri, i cili kërkohej jo vetëm nga policia por edhe nga ish-miku i tij gjithashtu në kërkim, Talo Çela, pasi Dumani me urdhër të Endrit Alibejt ka ekzekutuar vëllain e Çelës.
Arrestimi i Nuredin Dumanit është ngjarja ë e bujshme e viteve të fundit, pasi policia kishte dështuar në disa aksione që të realizonte kapjen e tij./abcnews.al/