Gjykata e Lartë zbardh vendimin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i dyshuar për aferën e incineratorëve.
Në 15 faqe vendim, Gjykata ka arsyetuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore që të ndryshohej masa e sigurisë ndaj zotit Koka dhe sipas Gjykatës së Lartë, nuk kishte shkaqe për t’u kundështuar vendimi i Apelit.Gjykata Lartë arsyeton vetëm shkeljet që mund t’i jenë bërë zbatimit të ligjit nga gjykatat e shkallëve më të vogla dhe nuk merret me shqyrtimin e fakteve penale.
Kolegji i Gjykatës së Lartë arsyeton se Lefter Koka, edhe në kërkesën që ka bërë ndaj Gjykatës së Lartë për zbutje të masës së sigurisë (arrest në shtëpi ose liri në këmbim të garancisë pasurore), ish-ministri kishte dhënë të njëjtat argumente si në Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu, Gjykata e Lartë saktëson se nuk merr në shqyrtim vërtetësinë e fakteve dhe provave dhe prandaj nuk ka pranuar rekursin e bërë nga Lefter Koka.
Kolegji vlerëson se, asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk i referohet shkaqeve që parashikohen nga 432 i Kodit të Procedurës Penale. Pjesa e pretendimeve në rekurs që ngre çështje të vlerësimit të provave del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë. Në të gjitha rastet kur rekursi nuk i përmbahet shkaqeve të përcaktuara shprehimisht nga neni 432/1 i Kodit të Procedurës penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit. Qëndrimi që mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, e cila referon në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit.
-Kolegji vlerëson se kërkuesi ka paraqitur si shkaqe rekursi të njëjtat pretendime si në ankimin e paraqitur përpara gjykatës së apelit, pretendime për të cilat ai ka marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Është momenti për tu vënë në pah se, Gjykata e Lartë është vetëm një gjykatë ligji, e cila shqyrton pretendimet e palëve për zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural, ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Pra, kjo gjykatë nuk është një gjykatë fakti dhe pretendimet për vlerësim të gabuar të provave janë një çështje që del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë.
-Me ndryshimet e K.Pr.Penale të miratuara me ligjin nr. 41/2021 rezulton se rekursi duhet të përmbajë shkaqet për të cilat kërkohet prishja apo ndryshimi i vendimit, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 432 të këtij Kodi. Paraqitja e rekursit për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 432 të Kodit të procedurës Penale, apo pa u argumentuar ato, përbën shkak që Kolegji të vendosë mospranim të rekursit sipas nenit 433 të K.Pr.Penale, i cili parashikon se: “Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji, si dhe kur Gjykata e Lartë çmon se çështja nuk duhet të shqyrtohet prej saj, sipas përcaktimeve të paragrafit 1, të nenit 432, të këtij Kodi.”
-Kolegji rikonfirmon edhe një herë qëndrimin e tij se, është i nevojshëm disiplinimi i palëve dhe avokatëve që përfaqësojnë interesat e tyre në Gjykatën e Lartë, që rekursi nuk mund të jetë një përsëritje e shkaqeve të ankimit, për të cilat kërkuesi ka marrë një herë përgjigje nga gjykata e apelit. Është thelbësore që ky akt procedurial me të cilin vihet në lëvizje Gjykata e Lartë duhet të përmbajë patjetër argumentim nëse nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural, i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në rastin konkret nuk rezulton që kërkuesi të ketë argumentuar nëse nga gjykatat më të ulëta ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural, apo nëse vendimet e tyre bien në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
-Kolegji vlerëson se, gjykatat e faktit kanë arsyetuar drejtë, së pari në lidhje me dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova që i dyshuari mund të ketë kryer veprat penale, të cilat i atribuohen nga prokuroria. Gjykatat kanë arsyetuar gjithashtu edhe në lidhje me kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Lefter Koka dhe përse kjo masë sigurimi personal përbën masën më të përshtatshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit në rastin objekt shqyrtimi.
-Në lidhje me pretendimet për provueshmërinë e akuzës ndaj kërkuesit, Kolegji vlerëson se këto çështje nuk i përkasin kësaj faze procedurale. Në fazën e hetimeve paraprake në të cilën ndodhet çështja, gjykata e hetimeve paraprake ka arsyetuar në lidhje me masën e sigurimit të caktuar ndaj personit nën hetim. Pretendimet e tjera që i përkasin themelit të çështjes do të gjykohen në një fazë të mëvonshme, gjatë shqyrtimit të çështjes në themel (nëse çështja penale do të avancojë deri në atë fazë