Është dhënë masa arrest me burg ndaj një personi i cili akuzohet se i ka shitur kokainë një vajze të mitur.
Më datë 18 maj 2025 pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë është regjistruar procedimi penal në ngarkim të personit nën hetim O.L, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shtetasi O. L., i ka shitur lëndë narkotike të llojit kokainë një shtetaseje të mitur.
Prokurori i çështjes, duke u nisur nga rëndësia e faktit penal dhe rrezikshmëria e autorit të dyshuar të veprës penale, i është drejtuar Gjykatës me datë 19.05.2025 me kërkesë për “Caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Me datë 19.05.2025, prokurori i çështjes ka nxjerrë urdhrin për zbatimin e vendimit të gjykatës për masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim O.L.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë, kjo masë sigurimi, në bazë të urdhrit të prokurores është ekzekutuar në datë 26.05.2025, ora 00:30, pasi shtetasi O.L është kapur nga Komisariati i Policisë Nr.2, Tiranë, në qytetin e Tiranës.
Në vijim të veprimeve i është drejtuar gjykatës me datë 27.05.2025 me kërkesë “Për verifikimin e kushteve dhe kritereve të masës së sigurimit dhe vijimin e masës së sigurimit arrest në burg” për personin nën hetim O.L.
Më datë 28.05.2025 gjykata vendosi të vijojë masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim O.L.