I vetëm në klasë të parë, 6-vjeçari nga Griqani i Elbasanit pa shokë dhe shoqe moshatarë

0
635

Gumëzhimat e nxënësve mungojnë. Të flasësh për klasë të parë, të dytë apo të tretë, nuk ka më kuptim. Nga klasa e parë në të pestën, ata pak nxënës që numërohen me gishtat e njërës dorë, qëndrojnë bashkë.

Enesti e kishte ëndërruar klasën e parë së bashku me shokë dhe shoqe, por ai sot është nxënësi i vetëm i klasës së parë. Thotë se do të vijnë edhe shokë të tjerë më vonë, për t’u bërë më pas vetëm dy nxënës në klasë të parë.

Kështu nis viti i ri mësimor në shkollën e Griqanit në Bashkinë e Elbasanit. Edhe pse me klasa të bashkuara nga e para deri në të pestën dhe nga e gjashta deri në të nëntën, sërish ato janë bosh. Ndërsa nxënësit do donin më shumë shokë e shoqe me ta. “Jemi 3, por do të ishte më mirë sikur të ishim 20”, thotë një nxënës.

Trishtim edhe për mësuesit që shohin se si numri i nxënësve po ulet nga vit në vit. “Këtu ka vite që punohet me sistem me klasa të bashkuara, sidomos cikli i ulët, por edhe cikli i lartë po ashtu. Madje ka 10-12 vjet që kështu ndodh këtu, për shkak të numrit të paktë të nxënësve”, thotë një mësues. “Një pjesë largohen në emigracion, një pjesë ikin në qytet. Numri sa vjen e bie”, thotë një mësues tjetër.

Në gjithë Bashkinë e Elbasanit, në sistemin parauniversitar këtë vit shkollor është mbyllur një shkollë, ndërsa tre të tjera janë bashkuar si pasojë e numrit të ulët të nxënësve.

A2