Dy punonjës të UKT-së janë arrestuar nga pasi i vodhën shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve 21.6 mln lekë përmes rrogave të dublikuara. Ndërkohë, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për dy punonjës të tjerë.
Bëhet fjalë për Sigi Zhuleku dhe Erblin Lushaj ndaj të cilëve është caktuar masa arrest në burg dhe për Rudina Lalaj e Azem Xhaferri janë vendosur masat detyrim paraqitje. Masat janë ekzekutuar nga Policia e Tiranës ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë. Ndaj punonjësve të UKT rëndon akuza për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Ndaj punonjësve të UKT rëndon akuza për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
“Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, Prokuroria Tiranë kërkon arrest në burg për dy punonjës të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, detyrim paraqitje për dy të tjerë.
Bazuar në materialin e kallëzuar nga Drejtori i Përgjithshëm i shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi procedimin penal nr. 5652, datë 13.09.2023, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 135 – 25 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve S.Zh., R.L., E.L. dhe A.Xh.
Hetimi filloi pasi nga auditi i kryer nga zyra ekonomike e shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a Tiranë, u konstatua se shtetasi S.Zh, i punësuar pranë kësaj shoqërie me detyrën e specialistit në Sektorin e Tatim Taksave në Drejtorinë Ekonomike të kësaj shoqërie, i ngarkuar me detyrën e përpilimit dhe dërgimin në Bankë të listëpagesave për pagat e punonjësve të kësaj shoqërie, ka dubluar emrat e shtetasve S.Zh, R.L, E.L dhe A.Xh, të cilët ishin punonjës të kësaj shoqërie për periudhën Prill 2018- Korrik 2023 duke shkaktuar dëm në vlerën totale 21,679,805 lekë.
Bazuar në kërkesën e organit të akuzës me vendimin Nr. 3026, datë 23.12.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K. Pr. Penale, për shtetasit S.Zh dhe E.L, ndërsa për shtetasen: R.L dhe shtetasin A.Xh, caktimi i masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 të K. Pr. Penale.
Për sa sipër, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë.”- njofton Prokuroria e Tiranës.