Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar lirimin e tij me argumentin se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shkelu afatet e përcaktuara me ligj.
Seanca për kërkesën e Metës do të zhvillohet në GJKKO më 20 qershor. Gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela ka caktuar orën 11.30 për të shqyrtuar kërkesën e Ilir Metës, i cili mbahet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar.
Avokatët e kreut të Partisë së Lirisë, kanë kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë në “arrest me burg” në një masë tjetër më të butë për klientin e tyre.
Sipas mbrojtjes në rastin “Meta” janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga Prokuroria e Posaçme informacion dy mujor mbi çështjen.
Presidenti i Partisë së Lirisë është arrestuar për llogari të SPAK teksa akuzohet për korrupsion, pastrim të produkteve të veprave penale dhe mosdeklarim të pasurisë.