Inceneratori i Elbasanit dhe skandali me “Eco Elb”! Vetting: Fitues shpallet ofertuesi më i shtrenjtë ‘Ergi’ sh.p.k! Kontratat e dyshimta, 7 bashki i paguajnë miliona për shërbime që s’kryhen

0
2

Mbi një det të trazuar apo të qetë pamjet që ofrojnë pulëbardhat të krijojnë përshtypjen e parajsës në muzgun e mbrëmjes në qytetin e Elbasanit. Por nëse zbulojmë gjysmën tjetër të realiteti këta shpend janë mbi mbetje të kontaminuara që ushqehen në këtë territor të inceneratorit të Elbasanit, që një oaz i fëlliqur është kthyer tashmë.

Por a i duhej një incenerator i tillë i ndërtuar në atë vend në Elbasan? Dampa e Papërit kishte një depozitim 100 vite pa ndërtuar fare incenerator. Elbasani pati 2 studime njëri studimi për mbetjet ishte në landfillin e Papërit, objekti ishte në uzinën nr. 12 në Kombinatin Metarlurgjik dhe ishte bërë dhe studimi i fizibilitetit që ishte parashikuar dhe që për 100 vite Elbasani dhe bashkitë e tjera mbetjet do t’i kalonin në këtë landfill, por nga ana tjetër një grup pune i Bashkisë së Elbasanit gjykoi që të ndërtohej në dampën e TEC-it, por jo me studim të thelluar në këto kushte landfilli ekzistues për një kohë prej 5 vitesh është i bllokuar.

Sipas inxhinierit Beqir Kila “inceneratori që është ndërtuar nuk është në parametrat teknikë që duhet të plotësojë”. Një lagje e tërë pranë impiantit të përpunimit të mbetjeve jeton dhe mbijeton si të ishin inekzistentë për shtetin dhe pushtetin vendor. Një nga banorët e zonës shprehet: “Këtu po na merret fryma. Nuk duhet të ishte vendosur inceneratori”.

Duke u kthyer përsëri në vitin 2014 kohë e emergjencës mjedisore inxhinieri Kika shton se “Kjo është edhe një humbje e madhe ekonomike për vendin tonë”. Që nga viti 2022, sasia e mbetjeve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme, duke e rritur atë deri në 8 herë më shumë, një shqetësim që ka ngritur alarmin për ndikimin negativ në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve. Anëtarja e këshillit bashkiak Bianka Çopja u shpreh se: “2022 ka qenë e njëjta kontrata e 2023 dhe 2024 e njëjta kontrate me të njëjtat kushte dhe objekt për sa kohë një kontrata nuk zbatohet pse duhet të firmoset”. Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara. Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

GJASHTË VITE MË VONË

Eco Elb është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj., në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Kompania trashëgoi inceneratorin e Elbasanit të ndërtuar nga Albtech Energy e cila kishte një kontratë të dorëzimit me çelësa në dorë të impiantit të djegies së mbetjeve në Elbasan. Në dhjetor 2021 inceneratori i Elbasanit kaloi nën sekuestro. Teksa janë dhënë dënime për një sërë personash të lidhura me këtë projekt. Kontratat janë firmosur në mbledhjet e thirrura nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit për çdo vit me të njëjtin objekt. Por nga 4 proceset grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbra dhe incenerimin të parashikuara vetëm grumbullimi i mbetjeve aktualisht kryhet duke u shkelur me të dyja këmbët kontratën e firmosur mes firmës dhe bashkive ku edhe këto të fundit janë aksionere.

Anëtarja e këshillit bashkiak Elbasan, Bianka Çopja thekson se: “Janë të gjithë përgjegjës, sepse bashkitë janë edhe pronari edhe klienti në këtë incenerator”. Ndërsa Pano Soko sqaron se: “Inceneratori i Elbasanit shërbeu që një grup njerëzish duke përdorur pushtetin financiar dhe politik për të arritur të përfitonin fonde publike në dëm të qytetarëve. Aksion erë të Eco Elb aktualisht janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind, Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind. Në kushtet e shkeljes së kontratës në mënyrë ciklike janë shkruar dhe rishkruar por Eco Elb është paguar sipas kontratës, për punën e incenerimit edhe pse nuk e ka kryer. Biank Çopja thotë për Vetting se “objekti i kontratës, i lidhur mes 7 bashkive të Eco Elb sh.a ka 4 pika kryesore është pranimi, përpunimi, grumbullimi dhe incenerimi. Në të vërtetë incenerimi nuk ka ndodhur, nga një përgjigje e ardhur nga Eco Elb sh.a. Në momentin që një nga këto pika nuk kryhet, duhej kryer ndërprerja e kontratës. Të 7 bashkitë nuk duhet të kalojnë asnjë fond pasi ky incenerator nuk po i përmbahet objektit të kontratës. Mbetjet e riciklueshme që duhet të grumbulloheshin diku nuk gjenden dyshohet se janë shitur nën dorë pa fatura dhe paratë nuk dihet se ku kanë përfunduar. Bianka Çopaj sqaron se: “Këto mbetje që trajtohen dhe ndahen janë mbetje që hapen ankande për t’u shitur dhe në asnjë prej viteve 2022, as 2023 as 2024 nuk është kryer ankandi. Pyetja qëndron ku janë këto mbetjet? Ndërkohë që janë grumbulluar diku këto mbetje, duhet të jenë grumbulluar diku, nuk besoj se janë brenda në incenerator të jenë lënë aty për 3 vite… Del pikërisht që janë shitur privatisht dhe këto pagesa të jenë marrë privatisht dhe këtë e sqaron vetëm Eco Elb dhe në përgjigjen e tyre sqaron se nuk ka pasur ankand dhe as nuk ka asnjë prodhim energji”.

TENDERI PA GARË

Në fund të marsit 2023, shoqëria publike “Eco-Elb” shpalli tenderin, me objekt “Shërbim-Menaxhim mbetjesh urbane, në landfill, Inceneratori i Qarkut Elbasan (me makineri të rënda)”. Fondi limit për këtë procedurë ishte 39.045.600 lekë të reja. Në dokumentet zyrtare, jepet edhe argumentimi për zhvillimin e këtij tenderi. “Shoqëria Eco-Elb sh.a., e cila kryen menaxhimin e Inceneratorit dhe Landfillit të Elbasanit, duke qenë një shoqëri e re, nuk i zotëron këto mjete të nevojshme për operimin e inceneratorit dhe landfillit, prandaj është e nevojshme që ky shërbim të mbulohet me anë të një kontrate shërbimi nga të tretë”- thuhet në dokumentet e miratuar nga administratori Leli Kaja. Në tender rezulton se ka marrë pjesë vetëm shoqëria “Ergi” sh.p.k dhe ka fituar kontratën me ofertën 39.030.300 ose 0.999 për qind e fondit limit (vetëm 15 mijë lekë më pak se fondi limit). Kompania “Ergi” sh.p.k është krijuar në vitin 2000. Ajo zotërohet nga Nuri Balla dhe është me seli në Elbasan. Inceneratori i Elbasanit kërkon të blejë 525 mijë euro makineri: Jemi shoqëri e re, nuk i disponojmë mjetet. Kompania që ka nën administrim inceneratorin e Elbasanit “Eco Elb” ka parashtruar nevojën e saj për mjete të rënda në funksion të shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane. Një procedurë e fundit prokurimi e çelur nga kjo kompani ka në objekt të kontratës pikërisht këtë “ShërbimMenaxhim mbetjesh urbane ne landfill (Makineri të rënda)” me një fond limit 525 mijë euro. Në dokumentet që janë vënë në dispozicion nga kompania nënvizohet se mjetet mund të jenë për shitje apo dhënie me qira teksa kontrata do të jetë me një afat 12 mujor nga data e lidhjes. Në seksionin “formulari i termave të referencës” kompania parashtron cilat janë nevojat e saj konkrete dhe arsyeja pse këto mjete nuk disponohen duke argumentuar se Eco Elb është një shoqëri e re. Shoqëria ECO-ELB sh.a. e cila kryen menaxhimin e inceneratorit dhe landfillit duke qenë një shoqëri e re nuk i zotëron këto mjete të nevojshme për operimin e inceneratorit dhe landfillit prandaj është e nevojshme që ky shërbim të mbulohet me anë të një kontrate shërbimi nga të tretë”, thuhet në dokument. Ky tender ka rezultuar me flamur të kuq për shkakun se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues madje është skualifikuar edhe oferta më e ulët duke rezultuar fituese kompania me ofertën më të kushtueshme. Subjekti Ergi sh.p.k fiton përsëri tenderin.

KOMPANIA “ERGI” SH.P.K

“Ergi sh.p.k” nuk është një kompani e panjohur për opinionin publik, pronari Nuri Ballën në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit. Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin megaoperacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish-kryebashkiakut, Qazim Sejdini. Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla. Firma e Nuri Ballës është e njohur për tenderët që zhvillohen nga kryebashkiakët e Juglindjes. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB” e Bashkisë Elbasan, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “ERGI Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit. Eksperti i ekonomisë Pano Soko shprehet: Nuk ka një institucion që mendon si t’i japi zgjidhje mbetjeve këta janë fshehur tek inceneratori që përpiqen të marrin ndonjë lekë të fitojnë ndonjë lekë se e kanë pasur të shtruar rrugën. Ndërsa sipas dosjeve në e Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla” janë nën hetim për evazion fiskal.

TENDERI “PA GARË”

Për të kryer funksionet e saj, “Eco-Elb” ka lidhur një kontratë shërbimi me subjektin privat “Ergi” sh.p.k. Kjo e fundit ka për detyrë që të kryejë menaxhimin e mbetjeve në landfill dhe ndarjen e tyre sipas llojit. “E para nuk bëhet seleksionimi fiks në fushën e mbetjeve. Po të shkosh ta shikosh e cila është e bllokuar në këto kushte atë detyrim ligjor për ndarjen dhe seleksionimin e këtyre mbetjeve dhe të shfrytëzohen këto mbetje ndërsa pjesa tjetër do digjej në incenerator, nuk është arritur”, thekson eksperti Beqir Kila. Ekzistojnë dyshime se  shoqëria “Ergi” nuk e ka kryer shërbimin e kontraktuar. Prokurorët e kanë ngritur këtë dyshim, bazuar në këqyrjen e situatës në terren dhe, sidomos, analizave mbi rastet e zjarreve. Bianka Çopja anëtare e Këshillit Bashkiak hedh dritë mbi zjarrvënien: “Ka pas zjarrvënie, por në të vërtetë zjarri është vendosur për të ulur nivelin e mbetjeve në incenerator”. Në fund të marsit 2023, shoqëria publike “Eco-Elb” shpalli tenderin, me objekt “Shërbim-Menaxhim mbetjesh urbane, në landfill, Inceneratori i Qarkut Elbasan (me makineri të rënda)”. Fondi limit për këtë procedurë ishte 39.045.600 lekë të reja. Në dokumentet zyrtare, jepet edhe argumentimi për zhvillimin e këtij tenderi. “Shoqëria EcoElb sh.a., e cila kryen menaxhimin e inceneratorit dhe landfillit të elbasanit, duke qenë një shoqëri e re, nuk i zotëron këto mjete të nevojshme për operimin e inceneratorit dhe landfillit, prandaj është e nevojshme që ky shërbim të mbulohet me anë të një kontrate shërbimi nga të tretë”, thuhet në dokumentet e miratuar nga administratori Leli Kaja. Në tender rezulton se ka marrë pjesë vetëm shoqëria “Ergi” sh.p.k dhe ka fituar kontratën me ofertën 39.030.300 ose 0.999 për qind e fondit limit (vetëm 15 mijë lekë më pak se fondi limit). Kompania “Ergi” sh.p.k është krijuar në vitin 2000. Ajo zotërohet nga Nuri Balla dhe është me seli në Elbasan.

HETIME PËR LANDFILLIN ELBASAN

Pak ditë më parë, për hetimet që po zhvillohen nga Prokuroria e Elbasanit për veprimtarinë e kompanisë publike “Eco Elb” në landfillin e qytetit. Hetimet e nisura prej më se një viti nga Prokuroria e Elbasanit për “shpërdorim detyre” dhe “menaxhim mbetjesh” duket se kanë arritur në emra konkretë. Landfilli dhe inceneratori (jo-funksional) i Elbasanit menaxhohen prej vitit 2021 nga kompania publike “Eco-Elb”, e administruar nga Leli Kaja. Ndërkohë, fusha e mbetjeve është e ezauruar dhe zjarret e përfshijnë herë pas here, duke lëshuar tym toksik në të gjithë qytetin e Elbasanit. Pano Soko sqaron se: “Natyrisht do duhet patjetër të gjendej një zgjidhje këtyre mbetjeve”. Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin një vit më parë, bazuar në referimet e përcjella nga Drejtoria vendore e Policisë, pas identifikimit të shtimit të rasteve të djegies së pakontrolluar të mbeturinave. Grupi hetimor ka dyshime se zjarret mund të jenë të qëllimshme, për të ulur sasinë gjigande të mbetjeve që janë grumbulluar tashmë në landfill. Nga ana tjetër, hetuesit duket se kanë ngritur dyshime edhe mbi fiktivitetin e një kontrate të nënshkruar mes “Eco Elb” dhe një kompanie private, e cila duhet të kryejnë ndarjen e mbeturinave sipas llojit. Nga vëzhgimet e Policisë Gjyqësore ka rezultuar se kompania private nuk e ka kryer shërbimin e kontraktuar.

TENDERI TJETËR

Tenderi i rihapur për herë të tretë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik në datë 9 shkurt 2024 dhe me parashikimin për t’u mbyllur në datë 20 shkurt ka përfunduar sërish në Komisionin e Prokurimit Publik në datë 13 mars. Sipas të dhënave të bëra publike në faqen e KPP duket se kundërshtimi lidhet me vlerësimin që është bërë nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave për procedurën që ka një fond limit prej 3 milionë lekë. Më herët KPP rrëzoi procedurën e hapur nga ECO Elb nën argumentin se dokumentet e tenderit ishin në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për prokurimin publik. “Komisioni i Prokurimit Publik thekson, se kriteret e veçanta për kualifikim, specifikimet teknike nga autoriteti kontraktor duhet të përcaktohen të qarta, të sakta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim që të kryhet një vlerësim i drejtë dhe jodiskriminues, duke mos penguar pjesëmarrjen në një procedurë prokurimi, si dhe t’i japin mundësi ofertuesve të përcaktojnë objektin e kontratës”, do të nënvizonte Komisioni. E njëjta procedurë shfaqi probleme edhe në fazën e parë kur Eco Elb njoftoi dy procedura në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik të cilat pasi kaluan disa hallka dhe u ankimuan në KPP ku ky i fundit i riktheu për rishpallje duke argumentuar se Eco Elb nuk kishte respektuar detyrimet që lidheshin me respektimin e hallkave të ankimimit.

BASHKIA PËRRENJAS

Inceneratorët që dolën si nyje e korrupsionit vazhdojnë të jenë burim tenderash për kryebashkiakët, pavarësisht se nuk janë në funksion. Në këtë situatë kryebashkiaku i Përrenjasit, Nuri Belba, vazhdon të bëjë shpenzime me pretendimin që po pastron qytetin dhe plehrat i dërgon në inceneratorin e Elbasanit. Fillimisht sqarojmë se përmes këtij tenderi Belba po merr para shtesë për qytetarët pavarësisht milionave që paguhen për pastrimin, mbledhjen dhe depozitimin e plehrave të qytetit. Dërgimi i plehrave në incenerator ka dalë si shpenzim shtesë pas urdhrit të qeverisë që të gjitha bashkitë e qarkut t’i çojnë mbetjet në Elbasan. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt ‘Transporti i mbetjeve urbane për në incenerator (Elbasan)’.Dhe kjo kontratë që mbulon vetëm 6 muaj u kushton qytetarëve të Përrenjasit 46 milionë lekë. Prokurimi është shpallur me 12 qershor 2024 dhe me 24 qershor është mbyllur afati për dorëzimin e ofertave. Është lënë vetëm 12 ditë kohë pasi duket që Belbës i ka mjaftuar oferta që ka dorëzuar kompania REJ” sh.p.k, në pronësi të Luan Kaprit. Normalisht tenderi duhej anuluar për mungesë konkurrence, por Belba vendosi t’ia falë kontratën Kaprit dhe më datë 8 korrik 2024 është publikuar dokumenti në sistem dhe Agjencia e Prokurimeve Publike ka vazhduar me regjistrimin normal të saj. Ndërkohë Open Data Albania i ka vendosur tenderin ‘Flamurin e Kuq’, që është shenja e riskut të korrupsionit.

******

Inceneratori që “dogji” 26 milionë euro s’ka prodhuar asnjë kilovat në 2024

Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara.

Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tri kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Kodrina e mbetjeve është fakti i pakontestueshëm i një inceneratori që mezi mbajti ndezur llambat e tij me energji elektrike. Inxhinieri Beqir Kila shprehet se: “Pika parë, ky incenerator nuk realizon djegien e mbetjeve në kushtet optimale. Së dyti, ky incenerator, nuk shkatërron dioksinat që janë substanca kanceroze. Së treti, ujërat, nuk kanë impiant të trajtimit të ujërave dhe, e katërta, nuk është menduar çfarë do të bëhet me hiret e nxjerra në këtë incenerator. Dhe pesë, inceneratori aktual harxhon më shumë energji se sa prodhon në kohën që ka punuar se tani nuk punon. Në një përgjigje zyrtare të dhënë nga administratori i inceneratorit theksohet se për vitin 2022 inceneratori ka funksionuar 24 ditë. Për vitin 2023 ka punuar 7 muaj ndërsa për vitin 2024 nuk ka punuar asnjë ditë në incenerim.

Inceneratori i Elbasanit fiku turbinat dhe kaloi në remont. Nuk dihet se çfarë e shkaktoi defektin dhe sa kushton riparimi i tij. Sipas anëtares së Këshillit Bashkiak Elbasan, Bianka Çopja: “Për sa kohë një impiant është i fikur përse duhet të paguhet punonjësi”?

Po ashtu, pa përgjigje mbetën edhe pyetjet se kur do të vihej në punë inceneratori dhe çfarë do të bëhet me malin e mbetjeve të patrajtuara në landfill kur të rindizen turbinat. Në të gjithë këto kontrata të firmosura dhe që shkelen nga Bashkia e Elbasanit nuk ka dijeni se çfarë ndodh. Sipas anëtares së Këshillit Bashkiak Elbasan, Bianka Çopja: “Përgjigjja nga Bashkia Elbasan na erdhi se nuk kishte asnjë informacion për inceneratorin e Elbasanit ndërkohë Eco Elb ka kthyer përgjigje se e ka njoftuar Bashkinë dhe nxjerrë kompetencat e nevojshme se ky incenerator nuk punon”.

“Inceneratori që ne kemi nuk ka teknologji për djegien e nevojshme. Duhet të arrijë temperaturën e nevojshme që të shkatërrohen dioksinat që shkarkohen në ajër, nuk prodhon energji, përkundrazi duhet të fusësh energji që të punojë”, tha eksperti Beqir Kila.

Pavarësisht se janë shpenzuar një mal me para Këshilli Bashkiak i Elbasanit kërkon të harxhojë edhe 2 miliardë të tjera për të hapur një pikë të re landfilli. Anëtarja e Këshillit Bashkiak theksoi se: “Paradoksi më i madh ka ndodhur në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kishin shtuar një memo me idenë për të ndërtuar një landfill të dytë për të kaluar dhe 2 milionë euro të tjera”.

Aktualisht Eco Elb çel dhe mbyll tendera, merr edhe pagesa për çdo tonë mbetje që dërgohen në këtë landfill. Likuidite parash që qarkullojnë në po të njëjtat bashki pasi rezultojnë aksioner. Që nga xhepi i majtë japin dhe në xhepin e djathtë përfitojnë në bazë të përqindjes. “Ne kemi të bëjmë me një incenerator që nuk është duke djegur mbetje, por është duke djegur paratë e taksapaguesve të Elbasanit dhe 7 bashkive”, sqaron Bianka Çopja për “Vetting”. Ka të bëjë me shpërdorim detyre për faktin që bëjnë njoftime përkatëse duke bërë njoftime përkatës, tendera me flamur të kuq me vetëm një pjesëmarrës dhe ai pjesëmarrës është fitues. “Kompania ECO-ELB sh.a, me administrator Leli Kajën, e cila ka në menaxhim inceneratorin e Elbasanit, rezulton që në vitin 2023, të gjithë tenderët që ka kryer t’i ketë pasur me flamuj të kuq, që do të thotë, ose kanë qenë tendera pa garë, ose me shkelje të tjera gjatë procesit të prokurimit. Janë vetëm me një pjesëmarrës dhe ai është fitues”,- sqaron Bianka Çopja.

/Gazeta Panorama