Inceneratori i Elbasanit/ Murataj: Fajtor kryesor kryebashkiaku. 4 ditë para zjarrit kishte informacione për matjen e volumit në landfill

0
2

Erion Murataj, anëtar i Këshillit Bashkiak Elbasan, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv mbi hetimet e Prokurorisë për inceneratorin e Elbasanit, tha që fajtor kryesor është kryebashkiaku Gledian Llatja. Sipas tij administratori i Eco Elb Leli Kraja nuk mund të vepronte autonom, dhe mbyllja e plagës së hetimeve do jetë Bashkia Elbasan. Ai vuri në dukje se kur të dalin transaksionet mes Eco Elb dhe palëve të treta do të zbulohen kompani që fitojnë tendera në bashki, të lidhura ngushte me krybashkiakun Llatja. Murataj tha se ka informacione se 4 ditë para se të vihej zjarri, kanë rrjedhur informacione që hetimet do shkonin në një akt ekspertim për matjen e volumit në landfill.

  • “Që prej majit të 2024 kam dërguar informacion në SPAK. Gjithçka po ndodh është një epilog i paralajmëruar. Keni parë në media sot vetëm transaksionet midis bashkive dhe Eco Elb, ndërkohë që do të shikoni shumë shpejt transaksione që janë kryer mes Eco Elb dhe palëve të treta. Aty do gjeni lidhje të tjera që të çojnë edhe te kryetari i bashkisë Elbasan. Administratori Leli kraja padyshim është fajtor, por s’mundet kurrë që një administrator të veprojë në kushtet e një veprimi autonom, pa bakimin e pronarit, dhe pronari është Bashkia Elbasan, kryetari Gledian Llatja. Do shikojmë veprime hetimore që do kulmojnë me masa ndaj drejtuesve apo punonjësve të administratës, qoftë të Eco Elb dhe Bashkisë Elbasan, por kulmi mbyllja e kësaj plage sa i përket abuzimit do jetë padyshim Bashkia Elbasan. Elbasani paguan 4160 euro në ditë, për një kontratë që ishte përllogaritur për incenerim. Z.Llatja është përgjegjësi kryesor. Nëse do shikoni transaksionet, se të kujt kanë qenë mjetet dhe shërbimet në EcoElb, do gjeni kompani që fitojnë tendera në Bashkinë Elbasan, të lidhura ngushtë me kryebashkiakun Llatja. E kam informacion të sigurt, 4 ditë para se të vihej zjarri, kanë rrjedhur informacione që hetimet do shkonin në një akt ekspertimi për matjen e volumit në landfill. Pas kësaj u vu zjarri, dhe volumi s’mund të matej më. Në Elbasan PS dhe PD janë bashkë. Bashkë në kontratat e bandave, bashkë në inceneratorë, bashkë në ndarjen e tenderave, deputetë të PD sot, ish-drejtues dje kanë marrë para publike si mbikëqyrës të kontratave koncesionare, kanë familjare, dashnore po deshe, në punë te njëri-tjetri“.