Inceneratori i Elbasanit/ Zero energji elektrike dhe 2.7 mln euro borxh te OSHEE. Llatja e Kaja “ia ngecin” Gugalljas
Shoqëria publike e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, “Eco-Elb” nuk ka shlyer mbi 2.7 milionë euro fatura dhe kamata për llogari të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“Eco-Elb” menaxhon “inceneratorin fantazëm”, një vepër publike që u kushtoi shqiptarëve mbi 30 milionë euro. Impianti i trajtimit të mbetjeve me rikuperim të energjisë, jo vetëm që nuk prodhoi asnjë kilovat/orë, por, përkundrazi, ka thelluar borxhet ndaj kompanisë publike të prodhimit të elektricitetit, OSHEE.
Një dokument i konsultuar nga “Boldnews.al” tregon se shoqëria publike “Eco-Elb”, që menaxhon fushën e mbetjeve në qytetin e Elbasanit prej vitit 2022, ka për të shlyer saktësisht 268.816.320 lekë të reja tek OSHEE-ja, ku përfshihen detyrime për energjinë elektrike dhe kamatë-vonesa.
Në foto: Fatura e OSHEE për kompaninë publike, “Eco-Elb” (Albtek Energy)
Por, ajo që bie më shumë në sy në faturën e lëshuar nga OSHEE është një fakt tjetër, që ngre dyshime për manipulim me bilancet financiare.
Sipas dokumentit, energjia elektrike e pashlyer, në shumën rreth 2.7 milionë euro, i është faturuar kompanisë koncesionare “Albtek Energy”, në pronësi të Stela Gugalljas. Ajo është një personazh i shpallur në kërkim prej të paktën 5 vitesh, në vijim të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për “aferën e inceneratorëve”.
Shoqëria “Albtek Energy” fitoi në vitin 2014 kontratën koncesionarë me qeverinë shqiptare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit. Kontrata kishte afat 7 vjeçar dhe përfundoi në dhjetor 2021, vetëm pak orë pasi kompania u vendos nën sekuestro, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Në foto: Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja
Në janar 2022, Bashkia e Elbasanit mori në dorëzim landfillin dhe inceneratorin skarco (jashtë funksionit). Në vijim, për menaxhimin e veprës publike u krijua kompania publike “Eco-Elb”, me aksionarë bashkitë e qarkut të Elbasanit (Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Belsh, Cërrik, Gramsh dhe Peqin”. Administrator i kompanisë është Leli Kaja.
Nga momenti i marrjes në dorëzim të landfillit bashkë me karabinanë e impiantit të djegies së mbetjeve, gjithçka ka kaluar në emër të kompanisë “Eco-elb” shpk. Por, duket se administatori Leli Kaja, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, ka “harruar” që të ndryshojë emrin e subjektit në faturën e energjisë elektrike.
Në foto: Administratori i “Eco-Elb”, Leli Kaja
Dhe, për këtë arsye, kompania koncesionare “Albtek Energy”, e cila ka përfunduar kontratën koncesionare në dhjetor 2021, rezulton debitore pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në shumën 2.7 milionë euro, megjithëse të dhënat tregojnë se konsumimi i energjisë elektrike të papaguar i përket periudhës që landfilli menaxhohet nga “Eco-Elb” e Leli Kajës.
Në foto: Biznesmenia Stela Gugallja, në praninë e kryeministrit Edi Rama
Në faturën e siguruar nga “Boldnews.al” tregohet qartësisht se pjesa më e madhe e energjisë elektrike të shpenzuar dhe të papaguar, nga gushti i vitit 2022 deri në dhjetorin e vitit 2023, kohë në të cilën “Eco-Elb” kishte marrë kontrollin e plotë të landfillit (dhe inceneratorit fantazëm).
Bianka Çopja: “Tarifa abuzive”, nuk a incenerim
Me një menaxhim skandaloz, i shoqëruar me raste të shpeshta të djegies pa kriter dhe helmues të mbeturinave dhe me një incenerator që nuk ka punuar asnjë ditë, Bashkia e Elbasanit dhe “Eco-Elb” shpk i janë drejtuar së fundmi Këshillit Bashkiak të qytetit për të rinovuar kontratën një-vjeçare për depozitimin e mbetjeve urbane në landfill.
Në projekt-vendim, kryebashkiaku Llatja dhe administratori i “Eco-Elb”, Kaja, i propozojë këshilltarëve bashkiakë sërish miratimin e tarifës prej 26 euro për ton mbeturina të depozituar në landfill.
Sipas propozuesve, kjo tarifë është e nevojshme për të përballuar kostot operative në fushën e mbetjeve, e cila ka tejkaluar prej kohësh kapacitetet depozituese.
Tarifa është konsideruar tërësisht abuzive nga drejtuesja e këshilltarëve bashkiakë të opozitës, Bianka Çopja.
Në foto: Kryekëshilltarja demokrate në Elbasan, Bianka Çopja, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak
Në një mbledhje të zhvilluar këtë të hënë (2 mars 2026), Çopja deklaroi se “kontrata për inceneratorin fantazëm, që paraqitet për të katërtin vit radhazhi, po zhvat taksat e qytetarëve të Elbasanit”.
Këshilltarja demokrate shtroi pyetjen se mbi cilën bazë është hartuar studimi financiar për këtë kontratë, ndërkohë që nuk mori asnjë përgjigje, pasi si kryebashkiaku Llatja, nuk ishte i pranishëm në mbledhje.
Bianka Çopja rikujtoi administratën e bashkisë se Elbasanit se incenerimi nuk kryhet, një fakt që është pranuar nga drejtuesit lokalë.
Gjithashtu, ajo theksoi se tarifa 26 euro për ton është më shumë se abuzive. “Studimi fillestar për landfillin dhe inceneratorin e Elbasanit, i miratuar nga Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014, parashikonte se kostoja ishte 2500 lekë për ton, duke përfshirë incenerimin. Ndërsa, pa incenerimin, kostoja rezultonte të ishte 1100 lekë për ton”.
https://www.standard.al/2026/03/03/inceneratori-i-elbasanit-zero-energji-elektrike-dhe-2-7-mln-euro-borxh-te-oshee-llatja-e-kaja-ia-ngecin-gugalljas/


