Inceneratori i Tiranës, SPAK lëshon 9 urdhër-arreste

0
59

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar disa urdhër-arreste të tjera pas hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Ato janë lëshuar për Denisa Tollkuçin, eksperte e kompanisë “Albtech”, Dashamir Ymerajn, biznesmen, i cili kishte blerë disa aksione, Renardo Nallbanin, një nga drejtuesit e biznesit të inceneratorëve, gazetarin Endrit Habilaj dhe disa shtetas të huaj.

Ndaj tyre gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, por asnjë nuk është arrestuar deri më tani, pasi nuk janë gjetur nga policia.

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK në verën e vitit 2023, pasi rezultoi se kompania, e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Në Dhjetor të vitit 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.

Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.