Vjena e Austrisë është renditur sërish në krye, si qyteti më i mirë për të jetuar në nivel global, sipas një indeksi vjetor të përpiluar nga Njësia e Inteligjencës Ekonomist (EIU), pjesë e The Economist.
Indeksi Botëror i Jetueshmërisë 2023, ia atribuoi suksesin e Vjenës “kombinimit fitues” të stabilitetit, kulturës dhe argëtimit, infrastrukturës së sigurt, arsimit shembullor dhe shërbimeve shëndetësore.
“Ai e ka zënë këtë pozicion rregullisht, gjatë disa viteve të fundit, ku vetëm pandemisë Covid-19 qyteti nuk ka zënë vendin e parë,” shtoi raporti.
Kopenhaga ruan gjithashtu pozicionin si qyteti i dytë më i jetueshëm në botë, ndërsa qytetet australiane Sidnei dhe Melburn hynë në pesëshen e parë.
“Këto qytete kanë pare përmirësime në kategorinë e kujdesit shëndetësor nga viti i kaluar, kur ishin ende të prekur nga valët e Covid, që vunë në vështirësi sistemet e kujdesit shëndetësor”, tha firma kërkimore.
Raporti vjetor vlerësoi 172 qytete në këto kategori, që përcaktojnë qëndrueshmërinë: stabilitetin, kujdesin shëndetësor, kulturën dhe mjedisin, arsimin dhe infrastrukturën.
Indeksi u rrit vitin e kaluar, për të arritur një nivel më të lartë 15-vjeçar, pasi bota u rimëkëmb nga pandemia, tha EIU. Rezultati mesatar i indeksit, tani është 76.2 nga 100, nga 73.2 një vit më parë.
10 qytetet më të mira për të jetuar
- Vjenë, Austri
- Kopenhagë, Danimarkë
- Melburn, Australi
- Sidnej, Australi
- Vankuver, Kanada
- Zyrih, Zvicër
- Kalgary, Kanada
- Gjenevë, Zvicër
- Toronto, Kanada
- Osaka, Japoni, Auckland, Zelanda e Re – Barazim
Qytetet e Azi-Paqësorit bëjnë lëvizje të mëdha
Sipas EIU, qytetet e Azi-Paqësorit kanë bërë disa nga ngjitjet më të mëdha në renditjen e këtij viti – duke zënë tetë nga 10 vendet kryesorë.
Kjo mund t’i atribuohet “një zhvendosje drejt normalitetit” pas pandemisë, shtoi raporti.
Veçanërisht, Ëellington i Zelandës së Re, u ngjit me 35 vende, në vendin e 23-të, ndërsa Auckland u ngjit me 25 vende, për t’u renditur në vendin e 10-të në indeks – pasi përjetoi rënie në renditje vitin e kaluar kur Covid-19 detyroi bllokime të përhershme.
Hong Kongu gjithashtu u zhvendos me 13 vende, në vendin e 61-të. Syetarn Hansakul, analist i lartë i EIU tha “Kjo është për shkak të heqjes së kufizimeve të Covid, që ka përmirësuar jashtëzakonisht cilësinë e jetës në Hong Kong vitin e kaluar.”
Pjesa tjetër e botës lëvizi në mënyrë të qëndrueshme, për t’u rihapur në fillim të vitit të kaluar – por Hong Kongu ndoqi nga afër politikën e ashpër të Kinës kontinentale për zero-Covid, dhe filloi të lehtësonte disa nga kufizimet vetëm në fund të vitit 2022.
Përmirësime të dukshme në rezultatet e arsimit dhe kujdesit shëndetësor, u vunë re gjithashtu në ekonomitë në zhvillim të Azisë dhe Lindjes së Mesme, vuri në dukje EIU.
“Arsimi është shfaqur më i fortë me fëmijët, që kthehen në shkolla, krahas një barre të reduktuar ndjeshëm në spitale dhe sistemet e kujdesit shëndetësor”, thuhet në raport.
Rënie në rezultatet e stabilitetit
Ndërsa rezultatet e kujdesit shëndetësor, arsimit, infrastrukturës, kulturës dhe argëtimit panë përmirësime vitin e kaluar, stabiliteti pa një “rënie margjinale”, tha EIU.
Kjo është për shkak të rasteve të trazirave civile në shumë qytete, mes krizës së kostos së jetesës dhe rritjes së krimit në disa qytete.
Ato në Europën Perëndimore në veçanti, kanë rënë në renditje për shkak të rasteve të shtuara të grevave të punëtorëve – duke dështuar të “përputhen me fitimet” e arritura nga qytetet në Azi dhe Lindjen e Mesme, shtoi EIU.
Për shembull, Frankfurt i Gjermanisë dhe Amsterdami i Holandës ranë jashtë 10-shes së parë.
“Çmimet ende të larta të mallrave, ndërprerjet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit, çmimet e larta të ushqimeve dhe dobësia e monedhës ndaj dollarit amerikan për disa vende, do të vazhdojnë të nxisin pakënaqësinë në vitin 2023.”
Qyteti sirian i shkatërruar nga lufta, Damasku, vazhdon të jetë qyteti me renditjen më të ulët në sondazh, pa “asnjë përmirësim” në rezultatet e tij të jetesës.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar gjithashtu në mënyrë të habitshme, në jetën e shumë qyteteve europiane, duke përfshirë kryeqytetin ukrainas të Kievit.
Qyteti i shkatërruar nga lufta, iu bashkua studimit këtë vit pasi u përjashtua në vitin 2022, për shkak të pushtimit të Rusisë, tha EIU.
Megjithatë, rezultati i tij ra me pothuajse 6 pikë përqindje, që nga viti 2021, për shkak të “dëmtimit që lufta i ka bërë stabilitetit, infrastrukturës dhe jetueshmërisë së përgjithshme”.