Infeksionet e lëkurës në plazh, ja si t’i parandaloni gjatë pushimeve verore

0
2

Plazhi është sinonim i relaksit, diellit dhe ditëve të gjata larg stresit të përditshëm. Por, përveç argëtimit, rëra, uji i detit, dushet publike dhe shtrati i plazhit mund të fshehin edhe rreziqe për shëndetin e lëkurës.

Gjatë verës shtohet rreziku për infeksione si mikozat, dermatitet, folikulitet apo impetigoni, veçanërisht nëse nuk respektohen disa masa të thjeshta higjienike.

Sipas dermatologes italiane, Laura Colonna, kontakti i zgjatur me rërën dhe sipërfaqet e ndotura mund të favorizojë shfaqjen e problemeve të ndryshme të lëkurës. Fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar nga impetigoni, një infeksion bakterial që shfaqet përmes flluskave të mbushura me qelb, por edhe të rriturit nuk mbeten jashtë rrezikut, sidomos pas trajtimeve estetike të pasigurta ose ekspozimeve të tepërta në diell.

Mikozat janë ndër infeksionet më të zakonshme në plazh. Këto kërpudha pëlqejnë mjediset e lagështa dhe të ngrohta, duke shkaktuar skuqje, kruarje dhe zbokth në këmbë, ijë apo shpinë. Ecja zbathur mund të duket e padëmshme, por nëse keni çarje apo lëkurë të irrituar, mikrobet si Staphylococcus aureus mund të depërtojnë dhe të shkaktojnë infeksione serioze.

Piodermiti, nga ana tjetër, është më i zakonshëm te fëmijët nën 10 vjeç dhe lidhet me kontaktin me rërën e kontaminuar. Fatmirësisht, kjo sëmundje trajtohet lehtë me antiseptikë dhe antibiotikë lokalë.

Image

Si të parandaloni infeksionet në plazh?

Parandalimi është i thjeshtë: përdorni gjithmonë shapka në dushe dhe banjo publike; mbuloni shtratin e plazhit me një peshqir personal të pastër; ndërroni menjëherë rrobat e lagura; dhe lani ose dezinfektoni duart shpesh, veçanërisht para se të hani ose të prekni fytyrën. Pas larjes në det, është e rëndësishme të fshiheni mirë, sidomos në zonat e palosura të trupit.

Nëse keni plagë apo gërvishtje, mbulojini me fasho ose shmangni larjen deri në shërimin e plotë. Së fundmi, mos neglizhoni asnjë shenjë që ju jep lëkura: kruarje të vazhdueshme, skuqje, djegie apo plagë që nuk përmirësohen duhet të shqyrtohen menjëherë nga një dermatolog.

Pushimet janë për t’u shijuar, por kujdesi për lëkurën nuk duhet lënë pas dore.

Image