Fakulteti i Shkencave Mjekësore po shfrytëzohet nga të rinjtë shqiptarë edhe si porta hyrëse në spitalet e Europës. Këtë e tregon numri i lartë i kërkesave për të ndjekur infermierinë, fizioterpinë apo logopedinë.
Si asnjëherë më parë, këtë vit aplikuan 15 mijë të rinj. Dega më e lakmuar që la pas edhe mjekësinë e përgjithshme, është infermieria, 4 mijë konkurrentë për 400 vende.
Në Fakultetin e Shkencave Mjekësore nuk mund të flitet për vende të lira dhe as djegie kuotash. Gara ishte e fortë, 100 kandidate për 1 vend studimi. Për fituesit e rinj, ky poster në hyrje të fakultetit “Shqipëria je ti” duket shpresëplotë, por për ata që sapo e mbyllën infermierinë lexohet ndryshe.
Një pjesë e tyre tregojnë se kanë prerë edhe biletat për në Gjermani. Të paktën 500 infermierë të rinj largohen çdo vit nga vendi për t’u punësuar në Evropë por edhe në spitalet e Shteteve tw Bashkuara të Amerikës.Eksodi i punonjësve të shëndetësisë ka nisur prej kohësh. Të pafuqishëm për ta ndalur fakultet e mjekësisë po përshtatin kurrikulat me programet e vendeve europiane, ku këta të fundit një rëndësi të veçantë i japin praktikës.