Janë me qindra infermierë shqiptarë që punojnë në Gjermani. Disa prej tyre kanë ngjallur interesin e mediave gjermane.
I tillë është rasti i Adelina Shahollit, vajzës nga Librazhdi që aktualisht punon në Spitalin Universitar Charite në Berlin.
31-vjeçarja ishte personazhi kryesor i reportazhit të realizuar pak kohë më parë nga televizioni “Deutsche Welle”.
Të nxitur nga kureshtja dhe krenaria për suksesin e infermiere Adelinës, ne zhvilluam një intervistë përmes Skype me të.
“Në një vit e gjysmë kam arritur të rritem profesionalisht, të ngrihem në detyrë, të bëj bashkim familjar e të planifikoj për pushime në një vend të Europës pa u menduar dy herë”, shprehet Adelina.
Vetëm një gjë i mungon në Berlin:
“Familja ime, pasi këtu gjen gjithçka tjetër”.
Infermierja nga Librazhdi arrin të bëjë tashmë edhe dallimin mes shqiptarëve dhe gjermanëve: “Këtu janë më të ftohtë njerëzit. Pacientin e vizitojnë 10 minuta, ndërsa ne jemi më të ngrohtë. Ne u rrimë të afërmve 8 orë te koka”.
A e mendon Adelina kthimin në vendin e saj?
“Pse jo. Shqipëria është vendi im, nuk do ta hidhja kurrë poshtë”, thotë infermierja.
Librazhdi news