Inflacioni nuk i ndal shpenzimet e shqiptarëve për Halloween

0
94

Nëse keni vënë re këtë vit më shumë përbindësha, rrjeta merimangash ose skelete në lagjen tuaj: nëpër lokale, dyqane, qendra tregtare etj, – nuk jeni vetëm. Një kombinim faktorësh e ka shtyrë frymën e Halloween-it në nivele rekord edhe në një vend si i yni, i cili e ka festë të importuar. Në këtë situatë, shitësit me pakicë po korrin përfitime.

Shpenzimet për Halloween kanë arritur nivelet më të larta këtë vit, me shqiptarët që kanë shpenzuar për kostume, karamele, dekorime dhe sende të tjera të lidhura me Halloween. Dhe gjithçka kushton më shumë për shkak të inflacionit.

Këtë vit konsumatorët mund të përballen me një Halloween ‘të hidhur’ pasi shpenzimet për ëmbëlsira ishin në rritje, pjesërisht e nxitur nga kërkesa, por edhe nga çmimet më të larta në mes të inflacionit të rritur të grupit të ushqimeve.

Sigurisht, inflacioni shtrihet praktikisht në të gjithë shportën e shpenzimeve që duhen, nga veshjet, ëmbëlsirat apo të tjera. Kujtojmë: Inflacioni në muajin shtator shënoi 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” patën rritje me 14,0%.

Sipas vëzhgimeve në treg, Tortat, kekët dhe biskotat u rritën me 16 për qind, ndërsa karamele dhe çamçakëz u rritën me 13 për qind. Dhe kjo është para se nxitimi i sheqerit në Halloween të arrijë kulmin e tij.

Shpenzimet e kostumeve janë komponenti i vetëm më i madh i shpenzimeve të Halloween – pohojnë grosistët për Monitor. Sipas tyre, të rriturit veshin një kostum ose një pjesë të një kostumi, dhe një pjesë e mirë e tyre synojnë të blejnë një kostum për kafshët e tyre. Tek fëmijët, kostumet më të pëlqyera këtë vit duket se janë princeshat dhe superheronjtë, ndërsa për të rriturit tendenca është tek shtrigat dhe vampirët. Për kafshët shtëpiake, kostumi kryesor është një kungull. Për secilin kostum, kostot nisin nga 1500 lekë, por ka e individë që zgjedhin vetëm një pjesë kostumi siç mund të jetë një maskë në kostot e 500-800 lekë.