Influenceri i njohur i fitnesit humb jetën pas sfidës virale të konsumimit të 10,000 kalorive në ditë

0
2

Një trajner dhe influencer fitnesi nga Rusia ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike pasi nisi një sfidë ekstreme të shtimit të peshës, duke konsumuar deri në 10,000 kalori në ditë. Dmitry Nuyanzin, 30 vjeç, nga Orenburgu, kishte qëllim të fitonte mbi 25 kilogramë dhe më pas t’i humbiste për të promovuar programin e tij të ri të dobësimit.

Sipas People, Nuyanzin ishte duke ngrënë sasi të mëdha ushqimesh të shpejta dhe të përpunuara për javë me radhë, përfshirë ëmbëlsira, pelmena me majonezë, patatina, burgera dhe pica, duke arritur të shtonte rreth 13 kilogramë brenda një muaji. Ai madje kishte premtuar shpërblime financiare për ndjekësit që do humbnin peshë me programin e tij.

Influenceri nisi të ndjehej keq dhe anuloi seancat e trajnimit, duke iu thënë miqve se planifikonte të shkonte te mjeku. Por gjendja e tij u përkeqësua dhe ai vdiq në gjumë nga arresti kardiak, sipas raportimeve.

Në rrjetet sociale, Nuyanzin publikonte rregullisht përparimin e sfidës, përfshirë menutë e përditshme me ushqime të rënda në yndyrë dhe kalori. Në një postim të fundit, ai tregonte se peshonte mbi 105 kilogramë.

Lajmi ka shkaktuar reagime dhe pikëllim në rrjetet sociale, ku ndjekësit e kujtuan si një “person të jashtëzakonshëm” dhe “shpirt të ndritshëm”.

Ekspertët paralajmërojnë se shtimi i shpejtë i peshës dhe konsumimi i tepërt i ushqimeve të përpunuara rrit ndjeshëm rrezikun e problemeve kardiake. Siç shpjegon Brown University, pesha e tepërt e detyron zemrën të punojë më fort, duke krijuar presion të shtuar mbi sistemin kardiovaskular.

Burimi: People