Sipas nenit 25 të ligjit për ushqimin përcaktohet qartë se çdo operator i biznesit ushqimor duhet të ketë një sistem të dhënash, jo thjesht një faturë të sigurisë ushqimore.
Sipas këtij detyrimi ligjor çdo operator biznesi duhet të ketë një kartë teknologjike. Pra, të tregojë origjinën nga e ka marrë, nëse është prodhues cfarë i ka futur produktit, sa aditivë ka, sa mish ka.
Të gjitha këto kritere janë detyrim i AKU-së që ti kërkojë dhe mungesa e tyre bën që të mos arrihet gjurmueshëmria.
- “Për të parandaluar, minimizuar rrezikun duhet të gjurmojë edhe gramin e fundit të produktit që paraqet rrisk. Në rast se nuk ka një sistem gjurmëshmërie, që në momentin e parë që merr lëndën, ti duhet të tregosh se ku ka shkuar. Ndaj në shumë raste autoritete në rastin e mishit me salmonelë, iu deshën 10 ditë ku e ka produktin, dhe gjatë kësaj kohe produkti u shit”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
Për të rritur sigurinë ushqimore, inspektorët e AkU-së janë të vendosur në çdo pikë doganore dhe janë përgjegjës për kryerjen e kontrolleve. Sipas manualit të PIK, Inspektimit në pikat kufitare, ka dy opsione për marrjen e mostrave. Marrja e mostrave në bazë rreziku, kur ka një sinjalizim se mund të ketë probleme. Në këtë rast ngarkesa bllokohet dhe nuk del në treg deri sa të dalin përgjigjet. Rasti i dytë është ai rutinë, kur mostra merret në bazë planesh vjetore. Në këtë rast produkti lejohet të dalë në treg.
Edhe pse produkti mund të vijë i infektuar me salmonelë, në momentin e analizave ka mundësi të parandalohet dhe të mos përfundojë tek konsumatori, por kjo nuk zbatohet.
- “Për hir të së vërtetës janë shumë të rralla inspektimet. 3-4 herë në vit për operatorët me rrisk të lartë, dyqanet e mishit janë vetëm një herë në vit, mendo ku jemi” u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
Ligji detyron që të gjitha importet që futen në Shqipëri duhet ti nënshtrohen kontrollit analitik. Ekspertët thonë se aktualisht kjo procedurë nuk zbatohet, duke u reduktuar vetëm tek pak subjekte që mund të kenë pasur histori negative të mëparshme.
- “Kontrollit duhet ti nënshtrohen të gjitha produktet e importit që futen në vendin tone. Ajo që ndodh aktualisht jo të gjitha partitë që hyjnë, i nënshtrohen kontrollit zyrtar analitik. Kjo nënkupton që AKU bën një kontroll mbi bazën e rrezikut të inspektimit, duke gjurmuar në kohë dhe në hapësirë, duke parë që nëse ka patur histori të ekspozimit me salmonela ato shtojnë kontrollet”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe ushqimit, UBT.
Mirëpo sipas ekspertëve kjo procedurë duhet ndryshuar. Ata i referohen rasteve konkrete të publikuara më herët dhe atyre që ne po zbulojmë. Kur kanë dalë analizat, produkti ishte shitur. Nëse mostra merret në bazë alerti, atëherë produkti qëndron i bllokuar në magazinat e importit deri në momentin e daljes së analizës.
- “Për sa kohë ti merr mostër, produkti nuk duhet të dalë në treg, edhe nëse kjo është mbi bazë të planit vjetor. Analiza doli me 11 dite me vonese për rastin e filetos së pulës, ishte zbatuar opsioni i lënies së lirë të produktit për të dalë në treg dhe kur doli analiza e ISUV me salmonele produkti ishte shitur thuajse i gjithë..” u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore.
Në këtë zinxhir procedurash, një hallkë e rëndësishme që nuk funksionon si duhet janë edhe laboratorët e analizave. AKU ka 7 laboratorë por asjëri prej tyre nuk është i akredituar dhe përballet me mungesa të ndryshme duke filluar që nga reagentët dhe kitet.
- “Edhe pse ISUV është laborator reference, edhe pse AKU ka 7 laboratorë, ka mirëmbajtje, blihen kite, por analizat kryhen në privat, sepse nuk ka kapacitete laboratorike dhe nuk ka analiza të akredituara”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.
- “Fakti është që AKU dhe gjithë zinxhiri i laboratorëve në varësi nuk ka kapacitete analitike për të bërë dhe përballuar një ngarkesë të tillë, pavarësisht që ka përmirësime në pikat doganore nuk është bërë e mundur që te këtë pika kontrolli analitike për të monitoruar të gjitha partitë e mallit që futen në RSH”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe ushqimit, UBT.
Mungesa e kapaciteteve për të kryer analizat, së bashku me vonesat në dhënien e rezultateve, bën që produktet e infektuara të dalin në treg duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Ajo që ka dështuar në të gjithë historinë e shpërthimit të salmonelave është fakti që njoftimi shpesh është bërë me vonese, strukturat e shërbimit shëndetësor janë vënë në dijeni me vonesë, por edhe ndërmarrja e akteve të survejimit nuk janë bërë në kohë. Si pasojë një pjesë e popullsisë është ekspozuar ndaj një produkti të kontaminuar.
- “Duket sikur ne arrijmë të kontrollojmë produktin nga ferma në tavolinë, por ka hallkan të zbuluara ka hallka të errëta në informacionin që mbart produkti që nga fusha deri tek tavolina.
- Mund të bësh matje në një ngarkesë, dhe të mos rezultojë, por kjo nuk nënkupton që e gjithë ngarkesa është e pastër. Ndaj gjithnjë kërkohet që të shoqërohet me analiza të ndryshme. Kjo do të thotë që edhe pas çdo testi të kryer asnjëherë nuk duhet të mendojmë se rreziku është eliminuar 100%”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe ushqimit, UBT.
Ervin Resuli, ekspert njëkohësisht edhe president i urdhrit të veterinerëve pranon se procesi çalon edhe sa i përket inspektorëve.
- “Strukturat veterinare nuk janë në lartësinë e duhur për sa i përket bazës ligjore, institucioneve nga ato varen dhe drejtohet dhe sa i përket kërkimit të thelluar shkencor”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore
Fajin për këtë situatë ai e shikon tek mbështetja anemike që qeveritë i kanë dhënë autoritetit kombëtar të ushqimit dhe inspektorëve në veçanti. Si pasojë inspektorët ndihen të dobët për të marra masa ndëshkuese ndaj bizneseve milionë euroshe.
- “Inspektorët nuk janë në lartësinë e duhur për të kryer funksionet që u ngarkon ligji edhe për mungesë të logjistikës, edhe për mungesë të pagës, nuk mundet që një inspektor me pagë 800 mijë lekë ti heqë licencën një operatori që qarkullon 20 mln euro në vit”. u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.
Sipas tij edhe heqja e statusit e ka dobësuar inspektorin duke i reduktuar garancinë ligjore për vendin e punës.
- “Të mos harrojnë që para 2023 kanë qenë të mbrojtur me status, ndërsa tani janë me kontratë. Pra në varësi të oreksit të drejtorit politik, inspektori largohet, rritet në detyrë apo denigrohet. Kjo bën që ato të përpiqen të mbrojnë vendin e punës, të mos përplasen me subjektet dhe ca gjëra” u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.
Inspektimi zbuloi produkte me salmonelë në fabrikën e sallamit, a përfunduan në tryezat tona?!
Në fillim të vitit 2024, gjatë një kontrolli në një subjekt të përpunimit të mishit të quajtur “AL Çeki” në Korcë, pra fabrikë e përpunimit të mishit, u konstatua prani e salmonelës. Referuar praktikës të ndjekur nga autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nga analizimi i 7 produkteve, 2 kanë rezultuar me prani Salmonele. Bëhej fjalë për 38 kg mish të grirë dhe 92 kg kërnacka zgare.
Kompania është gjobitur me 100 mijë lekë dhe po ashtu është bllokuar e gjithë linja e prodhimit, me kushtin që subjekti të gjejë se ku është burimi i infeksionit.
Gjetjet e inspektorëve të AKU-së nuk janë pranuar nga administratori i kompanisë. Ai ka refuzuar të firmosë raportin me pretendimin se nuk beson në rezultatin e analizave të kryera në ISUV.
Nuk dihet sasia e saktë e mishit të infektuar që ka përfunduar në tryezat e konsumatorëve. Ne iu drejtuam kompanisë në fjalë me një kërkesë për informacion ku i drejtuam një sërë pyetjesh, mbi sasinë e mishit që u tregtua, masat e marra për shmangien e rrezikut si dhe qëndrimin e vetë subjektit, por, nuk morëm asnjë përgjigje deri në transmetimin e dokumentarit.
Mungesa e transparencës përbën jo vetëm shmangie nga përgjegjësia, por edhe rrezikun që fenomeni të përsëritet.
Nga hulumtimi i Inside Story, rezulton se veç kompanisë Al-Çeki, edhe subjekte të tjera të vëna nën akuzë për salmonelë, nuk kanë pranuar rezultatet e analizave të kryera brenda vendit. Në disa raste ato i kanë dërguar privatisht në laboratorë jashtë Shqipërisë.