12 mijë fëmijë dhe gjimnazistë më pak janë regjistruar në këtë viti akademik. Sipas të dhënave të INSTAT mungesat janë në të gjithë ciklet e arsimit parauniversitar. Ndërkaq në 5 vite janë regjistruar 74 mijë nxënës më pak të ulur në banka.
Emigrimi masiv po jep çdo vit efekte negative sa i përket numrit të nxënësve që ulen në bankat e shkollave.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT vetëm në sistemin parauniversitar janë 12 mijë regjistrime më pak.
Prej tyre janë 4 mijë fëmijë më pak në arsimin fillor dhe 4 mijë të tjerë në arsimin bazë.
Referuar INSTAT, ulje të ndjeshme kanë shënuar dhe regjistrimet në arsimin e mesëm duke rënë me 4.2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Sa i përket tre viteve të para të universitetit, janë 1 500 të rinj më pak që kërkojnë të ndjekin studimet krahasuar me një vit më parë.
Por konstatohet se ka një rritje me 2100 të regjistrimeve për programet Master, ndërsa rënie të theksuar kanë ato për doktoraturë, ku shihet se ka rreth 1 500 regjistrime më pak.
Në raportet zyrtare evidentohet se në 5 vitet e fundit janë 74.723 regjistrime më pak të nxënësve dhe studentëve.