INSTAT nis më 4 tetor fazën pilot për Censin e popullsisë dhe banesave

0
190

Instituti i Statistikave (INSTAT) nis më 4 tetor fazën pilot për Censin e popullsisë dhe banesave.

Drejtore e Përgjithshme e INSTAT, Elsa Dhuli bëri të ditur sot se faza pilot e Censit kryhet në kuadër të përgatitjeve për numërimin e popullsisë rezidente dhe banesave, i cili do të kryhet në vitin 2022 dhe ka një afat kohor 10 vjeçar.

“Faza pilot do të zgjasë nga data 4 tetor deri më 15 nëntor dhe do të testojë përshtatshmërinë e të gjithë procedurave të Censit. Janë përzgjedhur 50 zona censi ne 9 bashki të vendit, Fushë Arrëz, Dibër, Tiranë, Kamëz, Durrës, Korçë, Pustec, Selenicë dhe Dropull”, deklaroi ajo gjatë një konference për mediet.

Sipas saj, rezultatet e Censit Pilot do të analizohen me kujdes nga INSTAT për të marrë masa për kryerjen me sukses të Censit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2022.

Risitë e këtij Censi janë përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren dhe modernizimi i sistemit të informacionit gjeografik (GIS).

Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.

Censi, është ushtrimi më kompleks dhe masiv që ndërmerr një zyrë statistikore. Ai është një projekt thelbësor për krijimin e një sistemi statistikor të qëndrueshëm dhe efikas dhe për hartimin e politikave të bazuar në statistika. Është pikënisja për përcaktimin e strategjive socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. /a.a/