Inter “fluturon” në gjysmëfinale, e pret…Milan, por Inzaghi “driblon” derbin

0
4

Inter “thyen” 2-0 Lazio-n dhe “fluturon” në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Ekipi i Inzaghi-t vijon sezonin perfekt pasi janë në garë me kohë të plotë në të tre frontet. Në “San Siro”, Inzaghi i besoi një fanellë titullari Kristjan Asllanit, me mesfushorin kuqezi që zhvilloi një ndeshje pozitive, për sa kohë ishte në fushë.

Ndryshe nga se pritej, Lazio e nisi më mirë takimin, me kryeqytetasit që ngacmoi portën e Martinez me dy zbritje të shpejta në sulm. Për të zhbllokuar këtë takim mendoi Arnautovic, me sulmuesin që realizoi një super gol në minutën e 38-të. Në fundin e pjesës së parë provoi edhe Asllani me një goditje të fortë nga jashtë zonë që shkoi ngjitur me shtyllën pingule.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në fraksionin e dytë, Lazio zbriti më e karikuar në fushë. Isaksen dhe pjesa tjetër e fazës ofensive provuan në çdo formë të riktheheshin në lojë, por pa sukses. Në momentin më të mirë të Lazio, Inzaghi ndërhyri në formacion duke hedhur në fushë Calhanoglu dhe Correa, ky i fundit me një depërtim në zonë fitoi një 11-metërsh në minutën e 77-të. Nga pika e bardhë, Calhanoglu u tregua perfekt duke dyfishuar shifrat.

Pavarësisht përpjekjeve të Lazio-s, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që feston për këtë kualifikim për në fazën gjysmëfinale, aty ku do të përballet me Milan në një sfidë dyshe. Derbi i Milanos ndez Kupën e Italisë, por Inzaghi nuk preferon të shoh aq larg:

 

 

“Ishte fitore e rëndësishme, kundër një skuadre të fortë dhe cilësore. Djemtë zhvilluan një ndeshje të madhe, edhe lojtarë si Asllani apo Frattesi. Tani derbi me Milan? Absolutisht, por do të mendojmë në prill. Kemi shumë ndeshja përpara deri atëherë”, u shpreh Inzaghi.