Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, një prind ka ngritur alarmin për gjendjen e brendshme të shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan të reklamuar edhe nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ndonëse godina është rikonstruktuar nga jashtë nga Bashkia e Elbasanit, ambientet e brendshme janë në gjendje skandaloze. Bankat janë të amortizuara, ndërsa tualetet siç shihet në foto, janë jashtë çdo standardi higjieno-sanitar.
Prindi kërkon reagim urgjent nga Ministria e Arsimit me ministre Ogerta Manastirliun, Zyra Arsimore e Elbasanit dhe kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, të cilin e akuzon për neglizhencë dhe propagandë boshe. Ai shprehet se rikonstruksioni është bërë vetëm për fasadë, ndërsa kushtet reale që përballen fëmijët janë të mjerueshme dhe denoncohen vetëm nga prindërit që i përjetojnë përditë.
“Kam një lajm shumë të rëndësishëm dhe dua që ta bëni publik sa më shpejt, sepse nis dhe sezoni i ri shkollor. Jam prindi i një fëmije në shkollën “Fadil Gurmani” në Elbasan. Bashkia e qytetit ka rikonstruktuar shkollën me taksat tona, por bankat e klasave dhe banjot e shkollës janë totalisht katastrofë. Dua që këtë lajm ta shohë Ministria e Arsimit, Zyra Qendrore e Arsimit në Elbasan, dhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, që gjatë gjithë vitit fle gjumë sepse këta të Bashkisë e reklamojnë “mollën” vetëm nga jashtë, jo nga brenda. Kurse nga brenda e tregojmë ne prindërit që kemi fëmijët aty. Kam besim shumë të plotë tek ju si portali më i fuqishëm në Shqipëri”, shkruan prindi i një nxënësi.
Në prag të hapjes së shkollave, prindërit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e kushteve bazë, si mobilimi i klasave dhe rehabilitimi i banjove.