Nëse ka një sektor, ku impakti i investimeve në punë publike ka qenë i menjëhershëm, ai është turizmi.
Këtë fillim gushti, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, (AIDA) i fton qytetarët të pushojnë në Shqipëri.
Nga jugu deri në veri të Shqipërisë, investimet e mëdha, të mesme dhe të vogla në këtë sektor janë të shumta në vendin tonë.
Këto shërbime janë duke u përmiresuar dita-ditës, me ndihmën e politikave të Qeverisë Shqiptare por edhe të secilit prej nesh.
AIDA bën të ditur se, sektori i turizmit po rritet me shpejtësi, 45 miliardë lekë vlerë të shtuar krahasuar me 28 miliardë lekë në 2014, ndërsa politikëbërësit po zhvendosin vëmendjen më shumë drejt tij.
Shqipëria në pesë vitet e fundit ka marrë investime në sektorin e turizmit kryesisht të përqendruara në infrastrukturën që ndryshoi krejtësisht qendrat e qyteteve me rilindjen urbane nga veriu në jug, nga qytetet e mëdha deri tek ato të vogla
Sipas AIDA-s, përmirësimet dhe investimet fillojnë nga infrastruktura e energjisë elektrike, trajtimi i ujërave të ndotura, apo investimet e konsiderueshme me ujin e pijshëm të zonave tona turistike.
Ndërsa resurset natyrore dhe kulturore nga veriu në jug, ju ftojnë për një sezon veror më të gjatë e më të bukur se çdo vit.
Sektori i turizmit, në ndryshim nga sektorët e tjerë, ndikon direkt në rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave brenda një kohe të shkurtër. Investimet publike në infrastrukturë, veçanërisht në zonat turistike me potencial për investime të mëdha vendase apo të huaja, krijojnë avantazhe të mëdha përsa i përket rritjes së aktivitetit ekonomik dhe për rrjedhojë rritjes së punësimit.
Vlora është shembulli tipik ku investimet në infrastrukturë kanë sjellë ndikim të menjëhershëm në zhvillimin e turizmit dhe kthimin e tij në një burim të mirëfilltë punësimi dhe mirëqenieje. Deri para pak vitesh Vlora, për shumicën e turistëve ishte thjesht një pikë pushimi për një kafe, apo maksimumi një drekë rrugës për në plazhet e Himarës, Jalës, Dhërmiut, Qeparoit, Borshit e Lukovës.
Prej dy vitesh mund të thuhet pa frikë se Vlora është kthyer në kryeqytetin e turizmit.
Ndërsa modeli i Vlorës turistike është shtrirë në të gjithë vendin. atsh