Pritja e atëhershme ishte e jashtëzakonshme. Kristiano Ronaldo u adhurua si një hero në kryeqytetin e Iranit, ndërsa skuadra e tij Al Nasr do të luante ndaj kampiones së vendit, Persepolis.
Me mijëra tifozë rrethuan autobusin dhe hotelin ku ishin vendosur lojtarët e skuadrës saudite, në vizitën në Teheran shtatorin e vitit 2023.
Gjithsesi, në këtë frenezi për të cilën u detyrua të ndërhynte edhe policia, pati një episod krejt normal dhe të pafajshëm, për kulturën perëndimore, apo qoftë edhe lindore në Kinë, Indi, Japoni apo Kore.
Superylli portugez u takua me një artiste të shquar iraniane, të quajtur Fatemeh Hamami, e cila për fat të keq është me aftësi të kufizuara.
CR7 për respekt dhe dashuri e puthi dhe e përqafoi gruan iraniane, veçse ai nuk e dinte se sipas ligjeve të Republikës Islamike kjo është e ndaluar.
Ekziston frika se Ronaldo mund të dënohet nëse shkel në Iran përsëri dhe duket se kjo ishte arsyeja që 40-vjeçari nuk udhëtoi me Al Nasrin për ndeshjen e Championsit të Azisë, në Teheran kundër Esteglalit.
Trajneri Stefano Pioli, ish-drejtuesi I Milanit, e la jashtë skuadre duke thënë se ai nuk ishte në qind për qind, por duke e shmangur më së shumti këtë temë.
Al Nasr kërkoi që ndeshja të luhej në fushë asnjanëse, por Esteglal nuk pranoi.
Skuadra saudite do të luajë këtë të hënë në kryeqytetin e vendit të lashtë e të shquar në ndeshjen e parë të të tetave të finaleve të Ligës së Kampionëve, dhe padyshim që është favorit për kualifikimin, ndërsa sfida e kthimit është në program të hënën tjetër, në 10 mars./abcnews.al