Irani lëshon fletëarrest për Trump-in

0
267

Irani ka kërkuar arrestimin e presidentit Donald Trump për akuzën e urdhërimit të atentatit ndaj gjeneralit të vendit, Kasem Sulejmani. Një fletarrest është kërkuar të lëshohet edhe nga Interpoli.

Irani po kërkon ndihmën e Interpolit për të arrestuar presidentin e Amerikës, Donald Trump, dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë për vrasjen e këtij fillimviti të gjeneralit iranian, Kasem Sulejmani.

Teherani njoftoi të hënën se kryeshtetari amerikan bashkë me 35 persona të tjerë duhet të përballen me akuzat për vrasje dhe terrorizëm.

Prokurori Ali Alkasimeri tha se Irani do vazhdojë të kërkojë ndjekjen penale të presidentit Trump edhe nëse atij i përfundon mandati presidencial këtë vit.

Gjenerali Sulejmani u ekzekutua me urdhër të Uashingtonit në një sulm me dron më 3 janar teksa po nisej me makinë nga aeroporti i Bagdadit i shoqëruar nga milicë irakianë.

Ish-shefi 62-vjeçar i forcave elitë të Iranit prej 21 vitesh konsiderohej figura e dytë më me pushtet pas liderit suprem të vendit.

Nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump e cilësoi atëkohë Sulejmanin një terrorist dhe komplotist i qindra sulmeve ndaj kundërshtarëve nëpër botë dhe në Lindjen e Mesme.

Atentati kulmoi disa muaj incidente dhe tensione mes Teheranit dhe Uashingtonit, që u përkeqësuan më 8 janar me goditjet raketore të një bazë antiterrori në Irak ku strehoheshin edhe trupat amerikane.

Sulmet iraniane nuk rezultuan fatale për funksionarët e bazës përpos dëmeve materiale.

Irani ka deklaruar se një kërkesë për arrestimin e presidentit Trump i është dorëzuar Interpolit me seli në Francë, por urdhri ka pak gjasa të ekzekutohet nga policia ndërkombëtare pasi me ligj nuk i lejohet të ndërhyjë për raste që konsiderohen të natyrës politike.

Këtë muaj një qytetar iranian u dënua me vdekje për vrasjen e gjeneralit Sulejmani, pasi gjykata e lartë vlerësoi se ai ishte paguar si informator nga CIA amerikane dhe agjentët e Izraelit për të marrë informacione sekrete mbi vendndodhjen e forcave speciale të Iranit.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit u shtuan në vitin 2015 kur presidenti Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja antibërthamore dhe e dënoi shtetin islamik me sanksione ekonomike.

/Ora News.tv/