Iraniani i preu kokën gruas së tij 17-vjeçare, familja e vajzës e fal dhe dënohet me vetëm 8 vite burg

0
117

Një burrë që i preu kokën gruas së tij 17-vjeçare është dënuar me tetë vjet burg në Iran.

Imazhet e Sajjad Heydarit që mbante kokën e prerë të Monës në Ahvaz pas të ashtuquajturës “vrasje nderi” vitin e kaluar shkaktuan zemërim të gjerë.

Një zëdhënës i Gjykatës tha se lehtësimi i dënimit ishte për shkak se prindërit e 17-vjeçares e kishin “falur” atë për vrasjen në vend që të kërkonin hakmarrje.

Mona ishte e martuar me burrin e saj që në moshën 12-vjeçare dhe kishte sjellë në jetë djalin e tyre kur ajo ishte vetëm 14 vjeç.

Mediat lokale raportuan se ajo ishte arratisur në Turqi pasi dyshohet se ishte nënshtruar dhunës në familje nga bashkëshorti i saj, i cili kishte refuzuar kërkesat e saj për divorc.

Ajo ishte kthyer në Iran disa ditë para vrasjes së saj shkurtin e kaluar, sepse thuhet se kishte marrë garanci nga familja e saj se do të ishte e sigurt.

Vendimi për dënimin e tij është në përputhje me ligjin iranian, sipas të cilit vrasja me dashje dënohet me vdekje nëse familja e viktimës nuk e fal vrasësin.

Vrasja e tmerrshme nxiti kërkesa të reja në Iran për një ligj që synon parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave. Pati gjithashtu thirrje për rritjen e moshës minimale të martesës për fëmijët. Aktualisht është vendosur në 13 për vajzat, megjithëse vajzat edhe më të vogla se kaq mund të martohen ligjërisht me pëlqimin gjyqësor dhe prindëror.