Gjykata e Posaçme e Apelit la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme duke dënuar përfundimisht me 2 vite burg ish kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Gjithashtu Llalla është përjashtuar për 5 vjet nga funksionet publike.
Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro: 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Ai u shpall fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”
Por çfarë ndodh tani?
Vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm. Duhet të pritet të zbardhet vendimi pastaj të dalë urdhër ekzekutimi që i dërgohet policisë. Nëse Llalla nuk gjendet në adresën e caktuar atëherë ai shpallet në kërkim.
Vetë Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme dhe avokati Sokol Hazizaj u shpreh se klienti i tij ndodhej në spital.
Ky është rasti i parë që një që ka ushtruar detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri dënohet me 2 vite burg për një akuzë të tillë.
Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrimit të parave”, por më pas ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të pasurisë”.
I pari zyrtar i larte
Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Zoti Llalla është i pari ish zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Në këtë listë u përfshinë ish deputeti Tom Doshi, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e së fundi dhe ish kryeministri Sali Berisha.