“Ishin në prag divorci”/ Detaje nga hetimet për vetëvrasjen e nënës me tri fëmijët, ekipi malazez do t’i bashkohet kërkimeve në Bunë

0
65

Në ditën e dytë të kërkimeve për gjetjen e Alma Arazit dhe dy fëmijëve të saj të mitur, janë angazhuar 6 ekipe polumbarësh nga RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policia Kufitare.

Nesër pritet që kërkimeve t’i bashkohen polumbarët nga ushtria shqiptare dhe pala malazeze. Këtë të hënë, kontrollet janë fokusuar nga Darragjati deri në grykëderdhje të Bunës.

Tragjedia që dyshohet se ka sjellë 4 viktima, ku 3 prej tyre janë të mitur, u zbulua mëngjesin e së dielës, ku një peshkatar i zonës gjeti rastësisht trupin e pajetë të 9-vjeçares, të cilën një ditë më parë, babai i saj Ergys Arrazi e denoncoi të zhdukur bashkë me nënën, motrën dhe vëllain 3 vjeç

Referuar dëshmisë së Ergys Arazit, tashmë të arrestuar për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes, por edhe pamjeve të kamerave të sigurisë, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj, ka dalë nga banesa në 2 maj dhe nuk është kthyer më. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë kapur midis dy urave të Bunës pranë një lokali, ku ka konsumuar kafe dhe më pas gjurmët humbasin. Policia dyshon se gruaja ka kryer vetëvrasje së bashku me fëmijët, duke u hedhur në ujërat e Bunës, pavarësisht se deri më tani, vetëm trupi i 9-vjeçares është gjetur.

Për përcjelljen e të voglës, familja ka hapur dyert e mortit. Dyer në të cilat njerëzit e të ëmës munguan. Gjithçka ndiqej nga xhaxhai i saj Edison Arrizi i cili në ankth priste telefonata nga polumbarët për fatin e nipit dhe mbesës tjetër të zhdukur.

Për të, ngjarja është një tragjedi e shkaktuar nga kunata të cilës nuk ia fal që mori me vete edhe 3 fëmijët e pafajshëm. Jashtë kamerave, ai tha për Top Channel se vëllai i tij nuk ishte dhunues, por pranon se dashuria e lidhur mes Ergysit dhe Almës shumë vite më parë ishte venitur dhe ishin në prag divorci, gjë që e shtyu kunatën drejt një gjendje emocionale jo të qëndrueshme, për të cilën kurohej prej kohësh.

Por blutë e Shkodrës që po hetojnë rastin, nisur nga dëshmitë e familjarëve të Alma Arrazit dhe informacioneve operative, kanë një bindje tjetër. 31-vjeçari muajt e fundit kishte nisur një marrëdhënie me një grua tjetër dhe dhunonte nënën e fëmijëve të tij, duke i kërkuar të largohej nga banesa bashkë me fëmijët ç’ka e detyroi gruan në gjendje të tronditjes së thellë të ndërmarrë aktin ekstrem.