Ishte apo jo person i tretë në makinë? Policia çon për ekspertim 3 armë, njolla gjaku të fiksuara tek “Benzi”.

0
44

Tre pistoleta të markave të ndryshme, disa kampionë gjaku, fije floku dhe disa gjurmë gishtash të sekuestruar në makinën tip “Benz” me targa kroate, janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore, me qëllim ekzaminimin e tyre.

Policia dhe prokuroria e Shkodrës kanë kërkuar sa më parë ekzaminimin e këtyre provave, me shpresën e identifikimit të personit të tretë që mund të jetë ndodhur brenda në makinë gjatë momentit të atentatit, por mundet ti ketë shpëtuar plumbave dhe të jetë larguar.

Deri në këtë fazë ku ndodhet çështja nuk ka asnjë provë që të vërtetojë nëse ka pasur në makinë një person të tretë. Ndërsa dyshimet për një të tillë vijojnë të jenë prezente.

Nga ana tjetër në telefonat e shumë qytetarëve të vendit dhe policisë së Shkodrës, ka qarkulluar një video amatore, por që tregon të gjithë skenën e kasaphanës të kryer në Dobraç të Shkodrës.

Katër viktima të shtrira në rrugë, e ndërsa mes shumë provave materiale ndodhen dhe disa kokrra shegë të përhapura mes të rrugës.

Shegët i përkisnin çiftit të pafajshëm Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët ditën e djeshme kishin shkuar në periferi të Shkodrës për të mbledhur Shegë, me qëllim çuarjen e tyre tek 3 fëmijët.

Tashmë që janë mbushur 24 orë nga krimi i rëndë, policia dhe prokuroria e Shkodrës, ende nuk kanë asnjë person të arrestuar por qoftë dhe të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë.

I vetmi që po vijon të luftojë me vdekjen është i dëmtuari Bashkim Basha, ndërsa gruaja e tij Flutura ka vdekur në vend. Të vdekur mbetën dhe Mustafa Lici, i cili është vëllai i Ibrahim Licit si dhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD në Shkodër, Xhemal Bushatit.