Zbardhet dëshmia e këngëtares Enca, e cila u arrestua nga policia e Tiranës për kanabis. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se Ruensa Haxhia ka pranuar para policisë së kanabisin e mbjellë në vazo në ballkonin e banesës i kishte për përdorim vetjak.
Enca ka qenë bashkë me të dashurin kur u arrestua. Ajo ka pranuar se është përdoruese e hashashit.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja. Sekuestrohen bimët narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftim.
(BalkanWeb)