Bonusi i pranverës nuk u shpërnda në shkurt siç u tha nga qeveria. Ai do t’u jepet të moshuarve nga 1 marsi. Sipas shpjegimit nga Qeveria, shkak për vonesën në shpërndarjen e bonusit janë bërë procedurat e brendshme.
“Pensionistët nuk do presin të mbarojmë zgjedhjet ne, do e marrin që në shkurt. Se si e mendojnë ata që mendjen e kanë mbrapsht kjo është festa e madhe e demokracisë. Kështu që nuk kam asnjë shqetësim”, tha Rama më herët, shkruan A2 CNN.
Teksa ka kaluar më shumë se gjysma e muajit, bonusi i pranverës nuk ka nisur të shpërndahet. Pensionistët do të mund ta marrin shpërblimin e premtuar nisur nga 1 marsi. Tërheqja e tij do të bëhet në të njëjtën ditë që do të merret edhe pensioni i përmuajshëm.
Të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë shtesë në pranverë. Kush merr më shumë se 20 mijë lekë pension, do të përfitojë edhe 5 mijë lekë të tjera si bonus. Qeveria ndryshoi për të tretën herë buxhetin e vitit të shkuar duke shpërndarë 6.3 miliardë lekë mbështetje për të moshuarit.
Por shkak për vonesën në shpërndarjen e bonusit janë bërë procedurat e brendshme ndërinstitucionale. Nga nisma do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh gjithashtu të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar si dhe kujdestarët e tyre.