Një 26-vjeçar është gjetur i vdekur pranë një shtegu pyjor në provincën veriore italiane të Trentos, ku u sulmua dhe u vra nga një ari, thanë autoritetet në Itali të premten pas mesnate.
Shkaku i vdekjes së banorit të Trentos u përcaktua pas një autopsie, thanë autoritetet. Trupi i burrit u gjet të enjten pranë një shtegu pyjor në luginën Val di Sole, një destinacion popullor për alpinistët dhe turistët. Autoritetet dyshuan menjëherë për një sulm ariu duke pasur parasysh llojin e lëndimeve, të cilat përfshinin prerje të thella në trup dhe fytyrë, kafshime dhe një plagë të thellë në stomak.
“Ariu tani duhet të gjendet dhe të vritet për të garantuar sigurinë publike”, ka thënë presidenti i provincës autonome të Trentos, Mario Fugatti, në një takim të komitetit të rendit dhe sigurisë publike.
Të gjitha kafshët problematike duhet të pushkatohen, shtoi ai.
Rreth 100 arinj jetojnë në zonën malore dhe pyjore të Italisë veriore, ku janë parë gjithnjë e më shumë kohët e fundit.
Sipas provincës, numri i tyre është në rritje. Dhjetë arinj të rinj u sollën në zonë nga Sllovenia në vitin 1999 si pjesë e projektit të Bashkimit Evropian “Life Ursus” për të mbrojtur speciet nga zhdukja.